Akuzë për dy uzurpatorët të cilët në oborrin e poliklinikës “Bit Pazar” tentuan të ndërtojnë parking

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar akuzë për dy persona për veprën penale “Uzurpim i patundshmërive” sipas nenit 225, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 nga Kodi Penal, njofton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, dy bashkëkryerësit, në moshë 45 dhe 42-vjeçare, bashkë me qëllim posedimi kanë zënë patundshmëri në pronësi të shtetit, e cila me dispozitë është shpallur për pronë për përdorim të përgjithshëm, me qëllim që ta përdorin për ndërtimin e parkingut.

“I akuzuari i parë ka angazhuar persona që ta prenë gardhin e hekurt dhe ta thyejnë konstruksionit e betonit nga oborri i Institucionit publik shëndetësor – Shtëpia e Shëndetit Shkup – Poliklinika “Bit Pazar”. Pastaj, kanë shkatërruar edhe drunjtë dhe shkurret përreth. I akuzuari i dytë, me ekskavator ka filluar ta rrafshojë terrenin ku tetë kamionë kanë transportuar material ndërtimor – tampon, të cilin e kanë shpërndarë në oborrin e poliklinikës. Me ekskavatorin, i akuzuari i dytë ka filluar ta shpërndajë edhe rrafshojë tamponin nëpër parkun e spitalit derisa ka ardhur policia”, thonë nga Prokuroria.

Prokurori publik kompetent deri te Gjykata Themelore Penale e Shkupit ka propozuar që të vazhdohet masa e paraburgimit për të akuzuarin e parë, derisa për të akuzuarin e dytë në fuqi janë masat e kujdesit.

Të akuzuarit, sipas Kodit Penal, rrezikojnë të dënohen me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Ndryshe, ngjarja ka ndodhur pasditen e 13 majit.

MPB tha se policia ka ndaluar N.K. (44) dhe Sh.D. (42), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Uzurpim” dhe “Ndërtim pa leje”.

“Sipas asaj që është raportuar, në ora 19:45 në afërsi të poliklinikës “Bit Pazar”, kanë hequr një pjesë të rrethojës së objektit shëndetësor me qëllim të uzurpimit të hapësirës dhe ndërtimit të parkingut, për çka nuk kanë marrë leje nga Komuna e Çairit. Për rastin është njoftuar Prokurori Publik dhe pas dokumentimit të plotë do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.