Virion Graçi: Pse nuk e more dhe vetë fjalën? Ne duhet të rrëfejmë gjithçka?

Foto nga arkivi personal i shkrimtarit
Foto nga arkivi personal i shkrimtarit

Virion Graçi (14 shkurt 1968) i lindur në Gjirokastër, romancier dhe studiues, doktor i shkencave në studimet letrare, pedagog në universitet. Po ashtu autor i disa librave me poezi, tregime dhe romane si: “San Valentino” (poezi, 1993); “Të çmendur në parajsë” (roman, 1995); “Shpata e ndryshkur” (roman, 1999); “Bijtë e zotit majmun” (roman,1999); “Babai në shi” (roman, 2000); “Zonja pa emër” (roman, 2005); “Litari dhe lamtumira” (roman, 2011); “Stina e Hijeve” (roman, 2014); “Djali memec” (roman, 2016); “Pëllumbat i vrasin natën” (2019); “Dead end (2019); “800 hapa larg Venerës” (2020), Autorë dhe dukuri letrare (2022).

Nëse e shikoni letërsinë shqipe me sytë e një të huaji, ç ‘gjë ju bën përshtypje?

Virion Graçi – Nëse do të isha një i huaj që di shqip, do të shikoja sa mospërputhje dramatike ka midis asaj panorame që të ofrojnë mediat, sektorët e kulturës, burokratët e letërsisë, shoqatat dhe katedrat shkollore dhe asaj çfarë është në të vërtetë letërsia shqipe, cilët janë autorët, cilat janë veprat, cilët janë ata/ato shkrimtarë/shkrimtare që kanë mundur të jenë në proces krijimi e pasurimi nga dekada në dekadë të një vepre letrare me fizionomi e vlera të përvetshme. Nga njëra anë është letërsia e mirë dhe autorët e përkushtuar, nga ana tjetër janë “zëdhënësit institucionalë” të peizazhit letrar shqiptar, poçarët që pjekin medalje, kuleç e qofte për tarafin e për krushqitë.

Cilët personazhe ju ndjekin nga ato që i keni mbyllur në libra? Protestojnë për diç ndoshta?

Virion Graçi – Personazhet i përfytyroj sikur më falënderojnë me buzëqeshje të kursyera që i solla në jetë, në fakt – që e bëra të dukshme për lexuesit praninë e tyre në jetë. Deri tani, rrallë kam shkruar ndonjë libër ku personazhet të mos kenë një hierarki përfaqësimi e simbolike, përjashtim bën ndoshta “Babai në shi”, ku secili personazh nuk është më pak se të tjerët dhe nuk është për shkak të të tjerëve. Kurse në pjesën tjetër, librat e mi janë konceptuar rreth e për një kryepersonazh; optika e tij, përcaktimi i tij shpirtëror e botëkuptimor e përkthen realitetin e përditshëm në rrëfim të figurshëm artistik. Kështu, i vetmi ankim i përfytyruar prej tyre për autorin është: ‘’Pse nuk e more dhe vetë fjalën? Ne duhet të rrëfejmë gjithçka?’’

Foto nga arkivi personal i shkrimtarit
Foto nga arkivi personal i shkrimtarit

Si duket shpikja e një bote, e disa personazheve ? E kuptoni demiurgun? Sa e madhe është kjo barrë?

Virion Graçi – Nuk më është dashur të shpik, të krijoj lëndë nga asgjëja. Lënda ka qenë dhe është përreth e brenda nesh; më është dashur të krijoj vetëm format shprehëse, enët ku duhet ta mbledh atë lëndë të shenjtë vullkanike e cila, nëse vonohesh, shpërdorohet, rëndomtësohet, shpërndahet në përditshmërinë e rëndomtë; nëse ia mbërrin në kohën e duhur dhe me qasjen e duhur konceptuale, nëse i jep fytyrë e jetëgjatësi, e bën vepër arti. Barrë e rëndë për mua është dyshimi mos nuk u tregova në lartësinë e duhur, mos e shpërdorova disi një histori, një personazh domethënës të cilin dikush tjetër, mund të kishte bërë më mirë, më plotësisht, më bukur.

Ҫ’do të kishe dashur të ishte ndryshe në vendin tënd e në vendin tim?

Virion Graçi – Do të doja të ishim i njëjti vend, e njëjta shoqëri kulturore e shtetërore, të gjithë së toku në qytetet tona historike, me fshatrat, me fushat, kodrinat, malet, brigjet e luginat tona, ta dëshmonim veten, mikpritjen, dashurinë dhe harmoninë me botën, me të tjerët.

Secili do të shkruajë, po kush do të na lexojë?

Foto nga arkivi personal i shkrimtarit
Foto nga arkivi personal i shkrimtarit

Virion Graçi – Na lexojnë bashkëkohësit; për ata jemi diçka, për pasardhësit do të jemi diçka më shumë, në mos diçka më shumë të lexuar, atëherë, me siguri, diçka më shumë të vlerësuar si njerëz pikërisht për këto zeje jo në modë, jo fitimprurëse që po ushtrojmë tani me vetëmohim.

 Nga se është i mbrujtur një shkrimtar?

Virion Graçi – Njeri si gjithë të tjerët është shkrimtari, deri në momentin që rrëmben penën për të shkruar. Dhe kur shkruan mund të bëhet më i madh se njerëzit e zakonshëm ose më i vogël se ata, varet nga talenti. Nuk besoj se mund të shpjegohet racionalisht si e pse dikush është shkrimtar. Për ta shpjeguar, përsëri do të na duhej të binim në pozita imagjinative, do të na duhej ta krijonim fiksionalisht një shpjegim ose një tip – shkrimtarin.

 Nga librat që keni shkruar, cili ju bindet më shumë?

Virion Graçi – Unë u jam bindur atyre, më kanë vënë përfund gjatë kristalizimit; kam ecur pas personazheve të mi me ritmin e hapit e të frymëmarrjes së tyre, me ritmin e tyre emocional, i jam bindur mënyrës së tyre të arsyetimit. Prijës komandues kam qenë në romanet satirikë, unë isha i detyruar t’i përdorja tipat e situatat origjinale siç përdorin ciganët thuprat elastike të pemëve me të cilat thurin shporta, sende të ndryshme utilitare a zbukuruese.

A e predispozon fëmijëria një shkrimtar?

Virion Graçi –  Besoj se po, për mënyrën dhe masën e ndikimit, nuk e di. Por nuk është fëmijëria e veçantë ajo që na bën shkrimtarë. Besoj se njeriu lind me një talent të caktuar, me një prirje të caktuar, rrethanat jetësore, nga lindja deri në pjekuri e mundësojnë të realizohet sipas prirjeve të lindura, në rastin më fatlum.

Cili episod nuk ju shqitet nga kjo moshë?

Virion Graçi – Në romanin tim të parë, një baba i rrënuar psiqikisht nga rrethana të qenësishme të fateve tona kolektive – emigrimi, për të birin e vdekur pyet gruan, nënën e djalit të tij të ndjerë: “Po ai i dinte të gjitha këto?” Këtë pyetje retorike ia bëj vetes në lidhje me çdo gjë që ka zënë vend ose pritet të zër vend në ndonjë libër timin: Po ky/kjo, a e di çfarë po ndodh me të në jetën e tij/ saj reale?

Cilat shqetësime ua nxjerrin gjumin natën?

Virion Graçi –  Zakonisht probleme kronike shëndeti, brofje nga aritmi kardiake ose ndonjë ngacmim tjetër jo aq problematik. Kurse zgjimet që vijnë nga vetëdija e pavetëdija e trazuar vijnë kryesisht nga frikëra, pandehma a parandjenja për të tashmen e të ardhmen e afërt të të afërmve të mi, asgjë më shumë.