U arrestuan dy persona që donin të ndërtonin parking në afërsi të poliklinikës “Bit Pazar”

Dy persona pasditen e djeshme kanë shembur me ekskavator rrethojën e poliklinikës “Bit Pazar” në Shkup dhe kanë filluar punimet ndërtimore në oborr për të ndërtuar parking, transmeton Portalb.mk nga SDK.mk.

Siç thotë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup, doktor Viktor Isjanovski, kjo ka ndodhur rreth orës 19:00, pas së cilës roja menjëherë e ka njoftuar personin përgjegjës nga shërbimi teknik i poliklinikës dhe dy drejtorët.

“Posa u informova për rastin, e kam raportuar në MPB dhe personalisht te ministri Oliver Spasovski. Menjëherë është ndërhyrë dhe sipas informacioneve të mia janë arrestuar dy persona. “Nuk e di se çfarë synonin të ndërtonin, por diçka e tillë është e paimagjinueshme që dikush të hyjë në një objekt publik dhe të fillojë të ndërtojë”, tha Isjanovski.

MPB-ja thotë se dje policia ka ndaluar N.K. (44) dhe Sh.D. (42), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Uzurpim” dhe “Ndërtim pa leje”.

“Sipas asaj që është raportuar, në ora 19:45 në afërsi të poliklinikës Bit Pazar, kanë hequr një pjesë të rrethojës së objektit shëndetësor me qëllim të uzurpimit të hapësirës dhe ndërtimit të parkingut, për çka nuk kanë marrë leje nga Komuna e Çairit. Për rastin është njoftuar Prokurori Publik dhe pas dokumentimit të plotë do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.