Prokuroria ka formuar lëndë për parkingun e uzurpuar mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”

Pas publikimit të hulumtimit të Portalbit në lidhje me uzurpimin e hapësirave shtetërore mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”, Prokuroria ka formuar lëndë dhe po ndërmerr masa për konstatimin e gjendjes, njofton Portalb.mk.

“Prokuroria ka formuar lëndë dhe të njëjtën e ka ndarë te prokurori përkatës. Po ndërmerren masa për konstatimin e fakteve”, thanë shkurt nga Prokuroria.

Formimi i lëndës, vjen pasi që nga Prokuroria paralajmëruan se do të veprojnë, nëse institucionet tjera kompetente nuk veprojnë.

Pas një hulumtimi disa-javor, Portalb.mk publikoi se mbrapa objektit të Poliklinikës së “Bit Pazarit”, qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit.

 intervistë për Portalb.mk, Visar Ganiu e hodhi përgjegjësinë te menaxhmenti i Poliklinikës “Bit Pazar” dhe Qeveria.

“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi”, tha Ganiu në intervistën për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Qeveria, Poliklinika “Bit Pazar”, Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, por edhe një sërë institucionesh tjera, gishtin e drejtojnë kah Komuna e Çairit.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kompetencat e saja në pjesën e tokës ndërtimore ua ka dorëzuar komunave në pajtueshmëri me procesin e decentralizimit dhe për ato arsye menaxhimi i tërësishëm me tokën është në kompetencë të komunave. Në rastin konkret, gjithashtu toka është dhënë në dispozicion të komunës dhe për ato arsye ju udhëzojmë që të drejtoheni te shërbimet inspektuese të komunës. Nëse keni indikacione për çfarëdolloj shfrytëzimi të paligjshëm të tokës shtetërore, ju udhëzojmë që të drejtoheni te Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, i cili në pajtueshmëri me kompetencat e tij,  është organ inspektues i shtetit në pjesën e tokës ndërtimore”, tha për Portalb.mkKire Kocev, zëdhënës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Policia, për Portalb.mk konfirmuan se deri më tani askush nuk ka lajmëruar deri tek ata se dikush e ka uzurpuar këtë hapësirë.

Portalb.mk paraprakisht bisedoi me ekspertë të fushë në lidhje me kompetencat për të vepruar ndaj uzurpatorëve.

“Spitali menaxhon me hapësirën, gjegjësisht oborrin për shkak qasjes më të lehtë dhe ajo quhet shfrytëzim publik. Por, teknikisht, ajo pronë udhëhiqet në emër e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me atë pronë, në nivel të komunës – operon komuna dhe komuna ka të drejtë të hyjë. Por, edhe nëse është tokë e spitalit apo private, komuna patjetër që ka mundësi të hyjë me Inspektorat Ndërtimor dhe të konstatojë, dhe më pas të dorëzojë dhe të dorëzojë paraqitje për ndërtim pa leje, pavarësisht se është pronë private. Për atë janë Inspektoratet, jo për atë nëse ndonjë pronë është private ose jo – ata nuk e kontrollojnë vetëm pronën rreth komunës, përëkundrazi për të gjithë pronën në territor të komunës”, thonë ekspertët që i konsultoi Portalb.mk.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat