Veprimit për barazi gjinore dhe dhunë ndaj grave në RMV i mungon buxheti, thonë nga UN Women

Zyra e UN Women në Maqedoninë e Veriut publikoi Profilin e parë të Barazisë Gjinore në vend (CGEP), një dokument që përfshin analizë sasiore dhe cilësore të të dhënave për situatën me barazinë gjinore në vend.

“CGEP për Maqedoninë e Veriut tregon se në përgjithësi, vendi ka demonstruar përpjekje në rritje për zbatimin e legjislacionit për promovimin e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave gjatë dekadës së fundit. Megjithatë, planeve kombëtare të veprimit për barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe për gratë, paqen dhe sigurinë u mungon buxheti adekuat i alokuar për zbatimin e tyre të plotë për të arritur ndikim konkret në jetën dhe mirëqenien e grave. CGEP arrin në përfundimin se duhet bërë më shumë përpjekje për të miratuar strategji dhe programe për të lehtësuar dhe promovuar përfshirjen e grave në jetën politike dhe publike, në veçanti të grave që u përkasin grupeve të pafavorizuara, pakicave etnike, romëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve”, thuhet në kumtesën e UN Women.

Qëllimi i CGEP është të shërbejë si bazë për monitorimin e rregullt të progresit drejt barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (SDGs), si dhe për planifikimin dhe zbatimin e përbashkët të punës lidhur me barazinë gjinore nga OKB-ja dhe kombet partnere.

“Për më tepër, CGEP ofron një vlerësim të detajuar të sfidave kryesore për barazinë gjinore në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm në Maqedoninë e Veriut, duke identifikuar pabarazitë gjinore në gëzimin e të drejtave sociale dhe ekonomike, të drejtat kulturore dhe politike, dhe duke analizuar shkaqet rrënjësore të sfidave të identifikuara. Zyra e UN Women përmes një procesi gjithëpërfshirës përgatiti CGEP për Maqedoninë e Veriut si pjesë e Projektit të Gender Equality Profile (GEF), financuar nga qeveria Suedeze dhe zbatuar në partneritet me Sekretariatin për Çështje Evropiane, Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, dhe në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikave”, theksohet në kumtesë.

Duke folur në promovimin e CGEP, kryetarja e zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut, Vesna Ivanoviq-Kastarede tha se përveç legjislativit solid në përputhje me standardet evropiane, është e nevojshme të punohet edhe në eliminimin e stereotipeve gjinore që janë të rrënjosura thellë dhe çojnë në paragjykime dhe diskriminime, si dhe në ndryshimin e qëndrimeve negative.

“Shpresoj se ky dokument, i cili synohet për përdorim të gjerë dhe nga ku mund të nxirren shumë të dhëna, do të kontribuojë në synimin tonë të përbashkët – një shoqëri ku të gjithë mund të gëzojnë mundësi të barabarta dhe trajtim të barabartë,” tha Ivanoviq-Kastarede.

Në fjalën e saj, zëvendësdrejtoresha Rajonale e UN Women për Evropë dhe Azinë Qendrore, Elisa Fernandez nënvizoi se UN Women ka zhvilluar një metodologji për profilet e barazisë gjinore të vendeve, për të ndihmuar vendet të hartojnë situatën e tyre në lidhje me barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, me qëllim që të ndihmojë palët e interesuara në hartimin e politikave dhe programeve të shëndosha dhe ndjekjen e progresit drejt arritjes së angazhimeve kombëtare drejt barazisë midis grave dhe burrave, në përputhje me Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm ose SDGs, dhe në veçanti, SDG5 për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave.

“Suedia është krenare që ka mbështetur financiarisht profilin e vendit për barazi gjinore të Maqedonisë së Veriut. Suedia ka qenë një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe do të mbetet e tillë. Programi ynë i zhvillimit u rrit ndjeshëm këtë vit dhe këtë vit është 7.7 milionë euro. Qëllimi i tij kryesor është të ndihmojë këtë vend në përgatitjen për të hyrë në BE.  Barazia gjinore është një fushë kyçe ku progresi do të matet nga Komisioni Evropian, derisa vlerëson gatishmërinë e vendit për anëtarësim”, tha ambasadorja Amy Larsson Jain.

Në emër të Sekretariatit të Qeverisë për Çështje Evropiane, sekretarja Shtetërore dhe zëvendëskryenegociatorja me BE-në, Drita Abdiu Halili, foli për përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave.

“Barazia midis grave dhe burrave, ose barazia gjinore, është një e drejtë themelore dhe një vlerë e përbashkët, e njohur nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar në territorin e tij. Barazia gjinore është përfshirë në Traktatet e BE-së, dhe për këtë arsye është pjesë e kërkesave që ne, si një vend kandidat, duhet t’i përmbushim. Megjithatë, investimi në barazinë gjinore është kyç, jo vetëm si kusht i BE-së, por edhe për të siguruar. edhe nxitur një shoqëri të barabartë për të gjithë”, tha Drita Abdiu Halili.