Dhunë, diskriminim, urrejtje, femicide: ‘Shuplakat’ e SHBA-së ndaj RMV-së në fushën e barazisë gjinore

Dhunë, kërcënime, diskriminim, gjuhë e urrejtjes, femicide, krime, abuzime. Këto janë fjalët që përmenden shumë shpesh në fushën e barazisë gjinore në Raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan mbi të drejtat e njeriut për Maqedoninë e Veriut, i cili nxori në sipërfaqe të palarat e RMV-së në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse përdhunimi dhe dhuna në familje janë të paligjshme, raporti thekson se “ligjet u zbatuan dobët”, ndërsa thekson se ligji u zbatua atëherë kur të mbijetuarit ngritën akuza, por shumë prej tyre jo.

“Deri në shtator, Ministria e Brendshme ka raportuar 517 raste të dhunës në familje, me 526 të dyshuar për dhunues. Autoritetet raportuan të paktën gjashtë raste të femicideve, të kryera nga partnerët e tanishëm ose të mëparshëm, bashkëshortët ose anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të viktimës”, thekson Raporti.

Sipas DASH, Gjykata Themelore Penale e Shkupit pranoi 68 raste të dhunës me bazë gjinore dhe gjykata vendosi për 63 raste të dhunës me bazë gjinore. Në 21 raste gjykata i dënoi të pandehurit me burg, ndërsa në raste të tjera gjykata i dha dënime me kusht. Ndërsa sipas raportit, Gjykata Penale e Shkupit dënoi 69 persona për krime të lidhura me dhunën në familje.

“Ngurrimi i shpeshtë i të mbijetuarve për të raportuar sulmet tek autoritetet mundësoi mosndëshkimin”, thekson DASH në Raport.

Raporti thekson se gratë edhe në vitin 2023 mbetën të diskriminuara, duke përmendur se ata nuk ishin në gjendje të punonin në të njëjtat industri si burrat, dhe gratë që punonin në sektorin privat shpesh merrnin paga më të ulëta se burrat. Ndërsa gratë në zonat rurale patën qasje të kufizuat në shërbime gjinekologjike.

Raporti thekson se gratë që vuanin dënimet në repartin e sigurisë së ulët të Idrizovës nuk morën përfitime të përcaktuara me ligj, siç janë fundjavat e lira ose vizita të shtuara.

“Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen Kundër Diskriminimit konstatoi se një ish-ministre e Brendshme që vuante dënimin me burg ishte subjekt i diskriminimit me bazë gjinore”, thuhet në Raport.

Raporti thekson gjithashtu përfaqësimin e ulët të grave në politikë, konkretisht si deputete në Kuvend, si ministre në Qeveri dhe si kryetare komunash.

Në fushën e shëndetësisë, që nga gushti, Instituti për Shëndet Publik raportoi 34 raste të reja me HIV: 30 burra dhe katër gra.

“Burime të besueshme raportuan se një e treta e personave me HIV në vend nuk ishin në dijeni të tij“, tha Raporti.

“Nuk pati raportime për operacione të kryera ndaj fëmijëve interseks apo personave të rritur interseks pa pëlqim. Nuk kishte raportime se qeveria ose shoqatat mjekësore bënë përpjekje për të kufizuar këto praktika”, theksoi Raporti.

Në lidhje me komunitetin LGBTQI+, raporti thekson se çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme të krimeve që përfshijnë dhunë dhe kërcënime dhune që synonin këtë komunitet. Raporti thekson se OJQ-të raportuan 28 raste të dokumentuara të shkeljeve të të drejtave të personave LGBTQI+.

“Ligjet në dukje neutrale nuk u zbatuan në mënyrë disproporcionale për personat lezbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, queer ose interseks (LGBTQI+)”, thekson Raporti.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Foto: SilvanBachmann në Canva
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Foto: Silvan Bachmann në Canva

Raporti theksoi se njohja ligjore e gjinisë ishte e mundur, por e kufizuar dhe jokonsistente.

“Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vuri në dukje mungesën e një ligji që lejon në mënyrë eksplicite ndryshimin e statusit të seksit/gjinisë së një personi në regjistrin e gjendjes civile”, thekson Raporti.

Ndër të tjera thuhet se pati pretendime se e ashtuquajtura terapi e konvertimit u praktikua tek të rriturit ose fëmijët për t’u përpjekur të ndryshonte orientimin seksual ose identitetin gjinor ose shprehjen e personit, dhe aktivistët konfirmuan se kishte raste të tilla, megjithëse kishin pak detaje.

Mes shumë shuplakave, raporti nënvizoi edhe progresin e bërë në këtë drejtim, si përditësimi i Kodit Penal për t’u përafruar me Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit). Raporti theksoi se vendi ofroi qasje në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Gjithashtu se Qeveria financoi 12 qendra rajonale për viktimat e dhunës në familje dhe një OJQ një qendër shtesë. Theksohet gjithashtu edhe se linja kombëtare falas SOS për të mbijetuarat e dhunës në familje ofroi ndihmë vazhdimisht.