Telefonata të përgjuara të ushtarëve rus tregojnë se armata është në gjendje të mjerueshme

Telefonatat e përgjuara të 10 ushtarëve rus tregojnë se armata ruse është në gjendje të mjerueshme. Sipas fjalëve ushtarëve, nuk kanë “as municion, as asgjë…” dhe po ndihen sikur janë në ushtrinë sovjetike të Luftës së Dytë Botërore, raporton Reuters, transmeton Portalb.mk.

Shërbimi i Sigurisë në Ukrainë gjatë dy javëve të para të korrikut ka përgjuar 17 telefonata të ushtarëve rus që janë duke luftuar në jug dhe lindje të Ukrainës. Këto regjistrime janë ndarë me Reuters nga një burim i inteligjencës së Ukrainës, por janë marrë parasysh vetëm 10 nga 15 emrat e dhënë, të cilat Reuters ka mundur t’i verifikojë.

Në regjistrimet e telefonatave, ushtarët flasin shumica me gratë e tyre në shtëpi dhe tregojnë se forcat ruse kanë pësuar dëmtime të rënda dhe për më tepër nuk kanë mundur t’i marrin me vete ushtarët e lënduar. “Kjo është, nuk ka mbetur batalion i dytë. E kanë bërë shkrumb e hi”, i ka thënë ushtari Maxim gruas së tij Anna më 3 korrik, për regjionin siberian në Irkutsk. Ai ka vazhduar t’i tregojë se jo vetëm që nuk kanë mundur t’i marrin dëshmorët, po nuk kanë mundur t’i marrin as ushtarët e lënduar, i kanë lënë në fushëbetejë të vdesin.

12 korrik, Andrey, një ushtar tjetër rus, në telefonatë me bashkëshorten ka shprehur zemërimin e tij për gjendjen e armatës. “Jemi si lypsarë. Është si në 1941, pesë ushtarë me një pushkë “, i ka thënë ai duke pasuar me “Nuk ka as **** municion, as asgjë, por na thonë të shkojmë të luftojmë! Me çka **** të luftojmë? Mos duhet t’i përdorim gishtat si bajoneta?”.

Alexei, ushtar i rekrutuar më 29 shtator, në telefonatë me nënën e tij i ka përshkruar më grafikisht ngjarjet. “Po gënjejnë atje. Ato nuk mund t’i shpëtojnë as disa prej tyre (ushtarët e lënduar dhe dëshmorët). Ata (dëshmorët) veçse janë kalbur, po i hanë krimbat“, ka thënë ai më 12 korrik.

Alexei gjithashtu i ka thënë nënës së tij se pavarësisht premtimeve të Putinit, ushtria po dërgohet në luftë “pa armë dhe municion, pa asgjë”, grupet ushtarake të mbrojtjes me po dërgohen në fushëbeteja për të sulmuar, pavarësisht premtimeve se nuk do të kryejnë shërbime të këtilla. “Të gjithë janë të frikësuar…”, thotë ai, “gjeneralëve nuk u intereson fare”.

As nga Kremlini, as nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk është dhënë koment për këtë lajm. Sipas llogaritjeve të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, deri në Prill të këtij viti Rusia ka humbur 35,500-43,000 ushtarë, kurse Ukraina përafërsisht 15,500-17,500. Rusia për këtë raport ka thënë së është propagandë.

Nga regjistrimet e telefonatave të ushtarëve që nuk kanë mundur t’i verifikojnë, një ushtar, gjithashtu i quajtur Andrey, i thotë gruas së tij se lajmet janë gënjeshtra: “Në lajme, i dëgjova sot, thonë se gjithçka është shumë mirë, por akoma po vrasin. Nuk mund as t’i shpëtojmë 62 veta nga fushëbeteja sepse nuk na lënë.”