MASh: Nxënësit do të kenë libra, me përhapje të dezinformatave për pikë politike nuk kontribuohet në arsim cilësor

Do të ketë tekste shkollore për nxënësit, deklaroi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas spekulimeve të VMRO-së se nxënësit nuk do të kenë libra. Nga kjo ministri thonë se gjatë periudhës së verës të këtij viti janë shtypur të gjitha tekstet e miratuara dhe deri më 1 shtator do të dorëzohen në shkolla dhe do të jenë në dispozicion të nxënësve, transmeton Portalb.mk.

“Në vend të kritikave të pabaza dhe përhapjes së dezinformatave, Ministria e Arsimit dhe Shkencës fton subjektet politike që duan të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor kombëtar, ta bëjnë këtë me sugjerime konstruktive. Si institucion jemi të hapur për bashkëpunim me çdo  faktor  dashamirës shoqëror që mendon mirë për shtetin dhe të ardhmen e tij”, thonë ga MASh.

Nga ky institucion shtojnë se një numër i vogël i teksteve shkollore, të cilat nuk janë shtypur, janë ende në proces, gjegjësisht Komisioni Kombëtar i teksteve shkollore vendos për miratimin e tyre, sipas së cilës do të shtypen dhe dorëzohen.

“Ndërkohë do të jenë në dispozicion materiale ndihmëse për nxënësit dhe doracak  për mësimdhënësit që do të pasurojnë mësimdhënien. Ato janë përgatitur  nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe do të jenë të disponueshme vetëm në formë elektronike në faqen e internetit të Byrosë. Gjithashtu, ekziston mundësia që secila shkollë, me iniciativën e saj, individualisht të vendosë për t’i shtypur ato”, shtojnë nga MASh.

Për sa i përket integrimit të lëndëve, thonë nga ministria, ky proces nuk është i ri, ai u zbatua dhjetë vjet më parë dhe si rezultat i së njëjtës  doli lënda e shkencave natyrore, për të cilën nuk ka pasur asnjëherë reagime.

“Integrimi i lëndëve nuk parashikon heqjen e përmbajtjeve. Historia, gjeografia, biologjia, kimia, fizika do të vazhdojnë të jenë pjesë e shkencave të cilat do të përfaqësohen në mënyrë adekuate në programin mësimor dhe do të ligjërohen nga mësimdhënësit  që i kanë dhënë deri më tani këto lëndë. Çdo lëndë mësimore do të ketë disa module që do t’i mundësojnë nxënësit  të studiojë përmbajtjen mësimore nga disa aspekte, gjegjësishtë  për të marrë pamje më të plotë për ngjarje,  proces, gjendje  të caktuar dhe të tjera”, deklarojnë nga kjo ministri.

Ata theksojnë se asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë, pa orë, për shkak të futjes së programeve mësimore  të reja të integruara.

“Një lehtësim i madh për mësimdhënësit do të jetë futja e ditarit të ri elektronik, i cili duhet të tejkalojë sfidat që ata i kanë  potencuar  deri tani. Zgjidhja softuerike tashmë është përgatitur, me mbështetjen e fondeve IPA të BE-së dhe është në fazën e testimit, pas së cilës do të pilotohet në numër të caktuar të shkollave  deri në implementimin përfundimtar në të gjitha shkollat ​​e vendit”, nënvizojnë nga MASh.

Kujtojmë e dje VMRO-ja akuzoi se edhe përkundër premtimeve të rreme të qeverisë, edhe ky vit shkollor do të filloj pa tekste shkollore, edhe pse qeveria e ligji për arsimin bazë parashikon që nxënësit të kenë tekste falas më 1 shtator.

“Siç po pritej, përkundër premtimeve të rreme të qeverisë, edhe ky vit shkollor do të filloj pa tekste shkollore, edhe pse qeveria e ligji për arsimin bazë parashikon që nxënësit të kenë tekste falas më 1 shtator. Përkundrazi, tekste shkollore të caktuara nuk do të kenë në dispozicion por për ta do të ketë materiale mësimore në formë elektronike, pra në format PDF. Ajo do të thotë nxënësit përsëri do të jenë të diskriminuar konstatoi Komisioni Kundër Diskriminimit” tha Vesna Janevska, kryetare e Komisionit për Arsim dhe Shkencë të VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, me vendim të Qeverisë, ky vit shkollor do të nisë më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 qershor. Për herë të parë prezantohet pushim pranveror, i cili do të zgjasë një javë, nga 29 prilli deri më 5 maj.

Tekstet për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta do të jenë edhe në formë digjitale

Të gjitha tekstet nga klasat e katërta dhe sipër në arsimin fillor do të marrin version digjital, ndërsa procesi i digjitalizimit do të zhvillohet në faza, shtojnë për Meta.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Këtë vit po punohet për digjitalizimin e teksteve për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta. Ata do t’i bashkëngjiten një portal të posaçëm që është në proces zhvillimi dhe nxënësit dhe mësuesit me një klikim të thjeshtë do të mund t’i shkarkojnë dhe nëse e kanë më të lehtë të mësojnë nga këto tekste digjitale”, thonë nga atje.