Shaqiri: Pjesa më e madhe e librave për klasat e treta dhe të gjashta dhe të gjithë librat për klasat e tjera do të jenë gati më 1 shtator

Të gjithë librat për klasë të parë, të dytë, të katërt, të pestë, të shtatë, të tetë dhe të nëntë dhe një pjesë më e madhe e librave për klasë të tretë dhe të gjashtë do të dorëzohen nëpër shkolla deri më 1 shtator. edhe në arsimin e mesëm, pas një periudhe më të gjatë, do të kemi dorëzim të librave në ditën e parë shkollore, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, njofton Portalb.

Për klasë të tretë dhe të gjashtë po përpunohen libra të rinj në pajtueshmëri të programeve të reja mësimore nga Byroja për Zhvillim të Arsimit (BZHA) dhe për këtë arsye pritet vonesë e disa prej tyre.

“Pjesa më e madhe e librave për klasë të tretë, për tre lëndë, do të dorëzohen më 1 shtator. Vetëm për një lëndë, për të cilin presim aprovim gjegjësisht mendim të fundit nga Komisioni i recenzentëve, do të jetë në fillim të shtatorit, por nuk mund të them datë të saktë. Për klasë të gjashtë sot në Komisionin kombëtar janë aprovuar një pjesë e librave dhe për to do të bëjmë maksimumin që të mbërrijnë në fillim të vitit shkollor”, deklaroi Shaqiri në intervistë për Televizionin Sitel.

Ai shtoi se vonesa nuk do të jetë si vitin e kaluar shkollor e cila, siç tha, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur programe të reja mësimor për katër klasa. Ky do të jetë vit ndryshe shkollor për shkak se MASH-i, theksoi Shaqiri, po përgatitet nga fillimi i këtij viti kalendarik. Programet e reja nga BZHA-ja janë dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 për klasë të tretë dhe në prill të vitit 2023 për klasën e pestë.

“Pjesa më e madhe tanimë janë aprovuar. Kjo nuk ishte pozita e njëjtë si vitin e kaluar shkollor kur programet u dorëzuan më vonë në MASH”, tha Shaqiri dhe shtoi se janë aprovuar edhe mbi 130 tituj në arsimin profesional.

Lidhur me afatin që i është dhënë MASH-it nga Komisioni për parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi për dhjetë ditë t’i sigurojë të gjithë librat për shkak të denoncimit për diskriminimin e vazhduar sistematik për vonesën nga viti i kaluar shkollor, Shaqiri tha se ka pasur takim me kryetaren e Komisionit dhe kanë dorëzuar shkresë për procedurat e MASH-it dhe hapat që i ka ndërmarrë vitin e kaluar për sigurim të librave.

Në pyetjen se nëse është e mundur që të ketë grevë të mësimdhënësve sepse Këshillit i SASHK-ut dhe Sindikati i pavarur i arsimit nuk pranojnë rritje të rrogave prej 10 përqind, Shaqiri u përgjigj se “ka shumë arsye për të mos ndodhë grevë”.

“Të mos e përmendi rritjen e mëparshme prej 20 përqind, vetëm në një vit shkollor, janë marrë 18,4 përqind rroga më të larta në arsimin fillor dhe të mesëm. Me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive merren 10 përqind për gjithë sektorin publik. Me Sindikatin jemi në fazë avancuese diskutimi që të gjindet mënyrë, përveç me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive, që mund të parashikohet edhe në pjesën e rritjes së rrogës minimale. Me marrëveshjen e përgithshme kolektive për herë të parë kemi regres në vitin 2023 dhe ajo do të ndodhë edhe në vitin 2024”, tha Shaqiri.