Mbi kacagjelimet që mund t’na shndërrojnë në kurgjë

Në një kolumnë të botuar para 34 vitesh në të përkohshmen “Tribuna – Sh”, mes tjerash shkrova: Në agun e shekullit XX, kur u vu themeli i gjysëmshtetit shqiptar, të urtit i shpëtoi goja dhe tha: Ta ruajë Zoti nga shqiptarët! Dhe pati të drejtë, sepse shqiptarëve të mësuar nën llostin e të tjerëve, u hyri lepuri në bark nga frika e lirisë dhe, që të nesërmen, i grahën shpërbërjes së vetvetes.
Që atëherë, rrëmuja e kacagjelimeve ndërvëllazërore nuk harroi t’na vizitojë në stinët më të rrezikshme për kombin e mbetur pa prometejë, që dallojnë të bardhën nga e zeza, të mirën nga e keqja, mbijetesën nga theqafja…

Ja ku jemi sërish në stinën e pikëpyetjeve të panumërta për të ardhen plot mjegulla të fëmijëve, nipave e mbesave tona, që e bëjnë këtë fund prilli dhe fillim maji më të frikshëm se rëndom. E them këtë, sepse bota po ndryshon dhe këtij ndryshimi i druhen edhe fuqitë më të mëdha të globit, lëre më të vegjlit, të cilëve rreziku ekzistencial u rri pezull mbi kokë.

Shi për këtë, në zgjedhjet e majit edhe ne, si gjithë të tjerët, duhet të braktisim hasmëritë ndërvëllazërore, të jemi më pranë njëri-tjetrit, të mendojmë dhe të flasim më esëll nëpërmjet votës së paqtë, pa përsëritur betejat paraprake zgjedhore, një dajm më të serta dhe më përçarëse se betejat për pushtet faktik të tjetrit, sepse të ndarë si heronjtë e fabulës “Tre qetë dhe ujku”, askush nuk do t’ia dalë t’i realizojë premtimet parazgjedhore, kur dihet se dizgjinët e drejtimit të shtetit mund të jenë në duart e dikujt që s’na bën beli fare.
Si të shpjegohet ndryshe motoja e zgjedhjeve parlamentare të majit të vitit 2024 :“Maqedonia përsëri e jotja!”, e OBRM-PDUKM dhe koalicionit “Maqedonia jote”, që është në unison të plotë me propozimin e zëdhënëses së partisë në fjalë, që kërkon ta kthejë Maqedoninë e Veriut nga shteti multietnik, multikulturor e multifetar në shtetin e një kombi të vetëm, në të cilin shqiptarët dhe pakicat etnike do ta kenë statusin e rajës.

Në rrethana të tjera ky paralajmërim do të trajtohej me të drejtë si tollumbac i fryrë parazgjedhor, por në rrethanat aktuale, kur edhe në Maqedoninë e Veriut është shtrirë gjerë e gjatë ndikimi rus, kjo duhet të merret si një rrezik tejet serioz për të ardhmen tonë. Prandaj subjektet politike shqiptare, duhet të përpiqen të zgjidhin problemet madhore nëpërmjet bashkimit të energjive, jo nëpërmjet kacafytjeve që betonojnë vendnumërimin tonë në të gjitha sferat e jetës.

Unë nuk jam politikan, as anëtar i ndonjë partie politike, as analist gjithollog, por, si qytetar i këtij vendi dhe si shqiptar që e njeh të kaluarën tonë të trishtë, mendoj se do të ishte mirë që, cilido nga dy koalicionet (Fronti Evropian dhe VLEN), që do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme, të Maqedonisë së Veriut, ta bëjë këtë vetëm pasi të marë garancën që:

– do të ndryshojë Kushtetuta në pikat që do ta bënte Maqedoninë e Veriut anëtare të Bashkimit Evropian;
– do të ndryshojë neni i Kushtetutës që na trajton si përqindje, jo si etnia e dytë për nga numri i popullatës;
– do t’na bëjë komb shtetformues dhe të barabartë me maqedonasit, pa asnjë mundësi për t’na hipur pa vullnetin tonë në trenin ruso-iranian;
– do ta përmirësojë jetën e qytetarëve të vendit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike e fetare;
– do ta ndëshkojë ksenofobinë e piromanëve dhe hajdutërinë e milionerëve deri dje të pabrekë, kushdoqofshin ata;
– do ta ndalojë urgjentisht ekzodin e të rinjëve që po shpraz katundet dhe qytetet e vendit…

Këso garancash presim prej gjithë partive politike, pa asnjë përjashtim, të cilat politikën nuk e konceptojnë si veprimtari që përshtatet sipas rrethanave e qëllimeve të caktuara të një grupi që synon vetëm mbrojtjen e interesave partiake e personale, por si veprimtari që ka për qëllim të ruajë e të forcojë me parimësi të skajshme barazinë mes njerëzve dhe etnive të ndryshme, rendin shoqëror dhe bazën ekonomike të të gjithëve, pa asnjë dallim dhe pa asnjë POR të vetëm.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.