MMPT akuzon Komunën e Tetovës për uniformat në shkolla dhe parregullsi në arsim, Komuna i quan dezinformata (VIDEO)

Nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” (MMPT) sot përmes një konference për shtyp ka reaguar për problemet në fushën e arsimit në Komunën e Tetovës, me theks të veçantë për uniformat e nxënësve. Siç thonë, Komuna ka bërë marrëveshje në katër sy për uniformat e 15 mijë nxënësve duke anashkaluar prindërit që paguajnë. Nga Komuna e Tetovës këto pohime i cilësojnë si dezinformata pasi sipas tyre, shkollat vetë kanë zgjedhur kompaninë që do furnizojë shkollat me uniforma, raporton Portalb.mk.

Agron Arfii nga MMPT theksoi se që gjendja e procesit edukativo-arsimor në vend të vështirësohet ende më shumë nuk mjafton vetëm neglizhenca nga pushteti qendror, por edhe qasja agresive e pushtetit lokal ndaj shkollave.

Ai shtoi se Komuna edhe pse është themeluese e shkollave fillore dhe të mesme, përpos që nuk parasheh mjete për përmirësimin e gjendjes së shkollave dhe bazohet vetëm në bllok-dotacionet nga pushteti qendror, manipulon me udhëzimet e Qeverisë për operacione financiare te dyshimta ne kurriz te prindërve.

“Dy muajt e fundit ushtrohet një presion i madh ndaj prindërve dhe mësimdhënësve për pranimin pa kusht të një lloji të uniformave, për të cilat vendimi është sjellë pa i konsultuar prindërit edhe pse barra financiare bie mbi vet ata. Në cilin vendim t të Qeverisë thirret komuna për çështjen e uniformave? Kush nga komuna ka bërë marrëveshje në katër sy për uniformat e 15.000 nxënësve duke anashkaluar prindërit që paguajnë? Cila është kompania dhe si është përzgjedhur, shkolla tekstile apo kompania në fjalë? Si është caktuar çmimi prej 800 denarëve kur në treg një punim i tillë gjendet me çmim shumë më të lirë? E përkujtojmë Komunën e Tetovës se uniformat shërbejnë për çështje sigurie dhe barazie mes nxënësve e jo për pazare financiare të individëve të pa autorizuar komunal në kurriz të prindërve të nxënësve”, tha Arifi.

MMPT mes tjerash theksoi edhe në dy dekadat e fundit, partizimi i skajshëm i arsimit në shkolla është një nga arsyet kryesore për situatën në të cilën gjendemi. Rasti me Shkollën e mesme të gjimnazit që ngeli pa rrymë dhe dhe shkollës fillore Istikball ku për një vit 4 herë u ndryshua udhësheqësia, janë shembuj të pazarllëqeve dhe luftës mes partive. Ata kritikuan edhe Ministrinë e Arsimit dhe Byronë për Zhvillim të Arsimit për dështimet në arsim.

Për të gjitha këto pyetje kërkuam qëndrimin e Komunës së Tetovës.  Nga atje këto pohime i cilësojnë si “dezinformata”. Nazmi Dauti nga Sektori i Veprimtarisë Publike tha se kanë pasur vendim apo një rregullore të Qeverisë së RMV-së në Seancën e 62 apo 63 të muajit maj të këtij viti, Qeveria atë shkresë e ka dërguar te Komuna e Tetovës ku më pas Komuna e Tetovës të njëjtën shkresë e ka përcjellë te të gjitha shkollat fillore dhe shkollat e mesme.

“Në shkresën që është përcjellë nga Komuna e Tetovës në asnjë vend nuk shkruan se është obligative që shkollat të pajisin nxënësit me unifroma, ne vetëm e kemi përcjellë ekstratin e Qeverisë. Nuk është e vërtetë që nga ana e Komunës së Tetovës ka pasur marrëveshje në katër sy që nxënësit të pajisen me uniforma, por shkollat vetë në mënyrë të pavarur kanë bërë porositjen e të njëjtave, ku e njëjta ka ndodhur edhe në komuna të tjera. Nuk ka marrëveshje me kompani të caktuar, shkollat vetë kanë zgjedhur atë kompani që ka furnizuar shkollat. Këshillat e shkollave kanë vendosur që nxënësit të kenë ose të mos kenë uniforma”, tha Dauti.

Më 18 dhjetor në vitit 2023, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur nga Portalb.mk theksoi se përderisa komuna nuk mund t’ju sigurojë uniforma nxënësve të shkollave fillore, shkollat në bashkëpunim me prindërit e kanë përgjegjësi të gjejnë ndërmarrje, e cila do të merret me qepjen e uniformave.

Këtë temë e ka hapur edhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Jeton Shaqiri, më 16 maj të këtij viti, ku në pres konferencë u sugjeroi shkollave të mbajnë mbledhje me të gjithë prindërit/kujdestarët për përmirësimin e proceseve, sigurisë, organizimit dhe kushteve në objektet shkollore dhe mjedisin. Në takime, siç informoi Shaqiri, është e nevojshme të hapet tema nëse uniformat shkollore janë të nevojshme si kod veshjeje për nxënësit, që prindërit të njihen me kodin etik të mësimdhënësve, si dhe të shqyrtohet plotësimi i kodeve ekzistuese me rregullat për veshjen e personelit mësimor dhe shërbimeve profesionale.