Kasami: Shkollat fillore në bashkëpunim me prindërit duhet vetë t’i sigurojnë uniformat (VIDEO)

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se përderisa komuna nuk mund t’ju sigurojë uniforma nxënësve të shkollave fillore, shkollat në bashkëpunim me prindërit e kanë përgjegjësi të gjejnë ndërmarrje, e cila do të merret me qepjen e uniformave, shkruan Portalb.mk.

Drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, sipas njoftimit të Sektorit për Veprimtari Publike të Komunës së Tetovës, duhet t’i pajisin nxënësit dhe mësimdhënësit me uniforma. Ky njoftim është shpërndarë prej datës 27 tetor dhe herën e fundit që Portalb.mk kontaktoi shkollat fillore dhe të mesme në qytetin e Tetovës, ato deklaruan se shabllonet e uniformave u ishin prezantuar dhe kujdestarët e klasave ishin në proces të mbledhjes së të hollave.

Në një deklaratë për Portalb.mk, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, konfirmoi se Shkolla e mesme profesionale “Gjoce Stojçeski” (Shkolla Tekstile) e cila me vite ka qenë përgjegjëse për qepjen e uniformave në Tetovë, ka kapacitet vetëm për uniformat e shkollave të mesme, kurse shkollat fillore në bashkëpunim me prindërit duhet të gjejnë vetë zgjidhje.

“Ne kemi biseduar për atë që thoni, që shkollat e mesme, domethënë shkolla tekstile ka kapacitet vetëm për shkollat e mesme. Shkollat fillore do të duhet vetë, në bashkëpunim me prindërit të gjejnë kompani e cila do të merret me qepjen e uniformave. Për më shumë, duhet të sqarojnë prindërit këtu, që komuna përcakton vendimin për të shkuar në shkollë me uniforma dhe dizajnin dhe ngjyrën e uniformës. Prindërit kanë mundësi edhe vetë të porosisin apo të sigurojnë, sepse mund të ketë familje që mund të qepin vetë uniformat. Domethënë ne nuk kërkojmë detyrimisht që këtë ta bëjmë ne si komunë, derisa komuna nuk e ka atë mundësi financiare që vetë të ua sigurojë uniformat shkollave, kjo mbetet përgjegjësi e prindërve. Ne si themelues i shkollave kemi përcaktuar që nëpër shkolla nxënësit tanë të shkojnë me uniforma. Format e sigurimit të uniformave është vendim i shkollës në bashkëpunim me Këshillin e prindërve” u përgjigj Kasami në pyetjen e Portalb.mk.

I pyetur për atë se pse komuna nuk i mundëson uniformat edhe kur ato janë bërë obligative, Kasami tha se edhe pse komuna përcakton si duhet të vishen nxënësit, nuk e ka përgjegjësi t’i mundësojë fondet, megjithëse në qoftë se do të kishte mundësi, ai tha se komuna do t’i siguronte edhe uniformat.

“Në bazë të Ligjit për Shkollimin Fillor dhe të Mesëm, komuna përcakton rregullat dhe kushtet me të cilat do të përcjellët mësimi. Në mundësi për të siguruar uniforma dhe mundësia e parë që do të na jepet ne do të sigurojmë, por jo detyrimisht ne e kemi obligim sepse fëmijët duhet të jenë të veshur, duhet të jenë me libra dhe ne, jo detyrimisht i sigurojmë ato veshje dhe ata libra si komunë. Pra ne si themelues përcaktojmë rregullin se si duhet të vishen dhe sillen nxënësit nëpër shkolla. Mundësia e parë që do të na jepet ne do t’i sigurojmë edhe uniformat” tha Kasami.

Ligjin për Arsim Fillor nuk është e caktuar se a e kanë komunat për obligim të sigurojnë fonde për uniformat e nxënësve, sepse nuk është e caktuar se a e kanë për obligim nxënësit të mbajnë uniforma. Uniformat dhe rregullat e veshjes në shkolla janë të përcaktuara sipas kodit etik të secilës shkollë, por shkollat fillore në përgjithësi nuk e kanë të paracaktuar çështjen e uniformave.

Këtë temë e ka hapur edhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Jeton Shaqiri, më 16 maj të këtij viti, ku në pres konferencë u sugjeroi shkollave të mbajnë mbledhje me të gjithë prindërit/kujdestarët për përmirësimin e proceseve, sigurisë, organizimit dhe kushteve në objektet shkollore dhe mjedisin. Në takime, siç informoi Shaqiri, është e nevojshme të hapet tema nëse uniformat shkollore janë të nevojshme si kod veshjeje për nxënësit, që prindërit të njihen me kodin etik të mësimdhënësve, si dhe të shqyrtohet plotësimi i kodeve ekzistuese me rregullat për veshjen e personelit mësimor dhe shërbimeve profesionale.

Rikujtojmë se shkolla tekstile ka pohuar që prej në fillim i kanë thënë Sektorit për Arsim të Komunës së Tetovës se nuk kanë kapacitet për uniformat e të gjithë nxënësve, por nga komuna nuk është dhënë përgjigje për atë se kush do të marrë përgjegjësi për uniformat e shkollave fillore deri në deklaratën e Bilall Kasamit.