Tetovë, nxënësit ende pa uniforma, shkolla tekstile garanton vetëm për shkollat e mesme

Nxënësit e Tetovës deri në fund të gjysëmvjetorit duhet të kenë uniforma, por shkolla tekstile “Gjoce Stojçeski” ka deklaruar se mund ta marrë përsipër vetëm qepjen e uniformave për nxënësit e shkollave të mesme. Komuna e Tetovës hesht ndaj pyetjes se kush do t’i qep uniformat tjera, kurse shkollat këtë javë duhet ta dorëzojnë numrin e nxënësve dhe të hollat, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse tenderi nuk është fituar zyrtarisht, vitet e kaluara, përpos periudhës së pandemisë, uniformat e nxënësve të Tetovës i ka qepur shkolla tekstile “Gjoce Stojçeski”. Drejtori i shkollës, Muzafer Livoreka, deklaroi për Portalb.mk se Komuna e Tetovës, gjegjësisht Sektori për Arsim edhe këtë vit i ka kërkuar shkollës të merret me këtë çështje, mirëpo për shkak se dy nga katër profesorët e trajnuar për rrobaqepësi ka që një vit që kanë dalë në pension dhe kanë pak nxënës që mund të ndihmojnë në qepje, shkolla nuk ka kapacitet për të marrë përsipër uniformat e të gjithë nxënësve, numri i të cilëve arrin deri në 15 000.

uniformë, uniforma
Model i uniformave që është shpërndarë nëpër shkolla. Foto: Portalb.mk

“Ne kemi kapacitet vetëm për shkollat e mesme, diku rreth 5 500 uniforma, për shkollat fillore nuk kemi mjaftueshëm resurse njerëzore dhe materiale”, pohoi Livoreka.

Për qepjen e uniformave profesorët punojnë edhe me nxënësit, meqë drejtimi ka lëndë përkatëse. Përgjegjësi për lëndën e tekstilit, profesor Sulejmani, tha se një disavantazh tjetër për shkollën është edhe fondi i orëve.

“Tani me programet e reja të reformuara nuk kemi 6 orë në javë (për lëndën e tekstilit), kemi 3-4 orë dhe normal nuk mund t’u kërkojmë nxënësve të punojnë jashtë këtij orari”, deklaroi profesor Sulejmani.

Drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme në qytetin e Tetovës deklaruan se nga Komuna e Tetovës kanë marrë njoftim që duhet t’i pajisin nxënësit dhe mësimdhënësit me uniforma dhe se këtë javë do të mbahen mbledhjet e këshillave, ku secila shkollë do të dorëzojë numrin e nxënësve dhe të hollat, nga 800 denarë për uniformë. Dy shkolla deklaruan se veçse e kanë përmbushur këtë obligim, meqë deri në fund të gjysëmvjetorit duhet të gjithë nxënësit të jenë pajisur me uniforma.

Komuna e Tetovës nuk i është përgjigjut emailit të Portalb.mk se kush do të merret me qepjen e uniformave të shkollave fillore dhe nuk u përgjigjen telefonatave. Nga ana tjetër, disa shkolla fillore nga qyteti dhe fshatrat përreth veçse i kanë dorëzuar paratë.

Drejtorët e shkollave dhe disa nga nxënësit e intervistuar nga Portalb.mk thanë se nuk janë në dijeni se çfarë po planifikohet për uniformat e as se kur do t’i kenë gati. Ata vetëm kanë zgjedhur modelin, kurse shkollat kanë dorëzuar numrin dhe janë në proces të mbledhjes së të hollave.