“Qentë nuk kanë ëndrra” i Hanis Bagashov fitoi çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar në Izmir

Filmi i shkurtër artistik “Qentë nuk kanë ëndrra” i regjisorit Hanis Bagashov fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në konkurrencën ndërkombëtare të edicionit të 27-të të Festivalit të Filmit të Shkurtër në Izmir, Turqi. Filmi pati katër shfaqje, ndërsa në festival ishte i pranishëm drejtori  fotografisë, Fejmi Daut, transmeton Portalb.mk.

“Qentë nuk kanë ëndrra” pati premierën botërore në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Sarajevë, ndërsa premierën vendase në festivalin “Vëllezërit Manaki”. Filmi ishte pjesë e programeve garuese edhe në edicionin e 48-të të CineMed në Francë dhe në edicionin e 24-t të Festivalit të Filmit në Tiranë.

Filmi është mbështetur nga Agjencia e Filmit e RMV-së, me producent Hithra Films dhe bashkëprodhues Eterna Films nga Bullgaria dhe Casablanca nga Sllovenia. Distributor është Lights On.

Rolet kryesore interpretohen nga Era Balaj dhe Deniz Rustemi, ndërsa luajnë edhe Ilire Vinca, Refet Abazi, Mentor Kurti dhe Gresa Farizi.

Regjisor, skenarist dhe producent është Hanis Bagashov, drejtor i fotografisë është Fejmi Daut, montazhi është realizuar nga Kasijana Angelova, muzika nga Arta Abazi, kostumografia dhe skenografia nga Elena Bilbiloska, ndërsa dizajni i zërit nga Darko Spasovski.