Forumi për Ndryshime në Arsim e paditi Ministrinë e Arsimit për mosrritjen e shumës së shujtës studentore (Video)

Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për shkak të, siç thonë, ministria nuk e ka zbatuar detyrimin ligjor për harmonizimin e shumës së shujtës studentore me normën vjetore të inflacionit. Nga FNA kërkojnë që shuma aktuale prej 140 denarësh të harmonizohet me inflacionin dhe studentëve t’u kompensohet dëmi financiar që, sipas tyre, u është shkaktuar nga mosrritja e saj, shkruan Portalb.mk.

Blendi Hodai nga FNA tha se padia është dorëzuar në emër të studentëve që janë anëtarë të këtij forumi dhe që përfitojnë shujtën studentore.

“Si Forum për Ndryshime në Arsim, në emër të studentëve që janë anëtarë të Forumit për Ndryshime në Arsim dhe që janë përdorues të shujtës studentore, po e deponojmë këtë padi në Gjykatën Administrative, duke paditur Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për mosrespektim të Ligjit për shujtën studentore dhe për mosrritje të shumës së shujtës studentore që studentët e marrin për tre vitet e fundit”, tha Hodai.

Ai tha se, sipas FNA-së, nga moszbatimi i ligjit janë dëmtuar rreth 30.000 studentë që përfitojnë shujtën studentore.

“Një student sot në shujtën studentore merr 25 denarë më pak për ushqim, për shkak të mosharmonizimit dhe mosrespektimit të ligjit. Kjo i bie diku në muaj 650 denarë më pak, apo për një vit akademik 6.000 denarë”, deklaroi Hodai.

Përmes padisë, FNA kërkon që Gjykata Administrative të konstatojë se MASH-i ka shkelur Ligjin për shujtën studentore.

“Kërkojmë që Gjykata Administrative të sjellë vendim pas padisë sonë, i cili do të konfirmojë edhe një herë që MASH-i e ka shkelur Ligjin për shujtën studentore. Së dyti, kërkojmë që ta detyrojnë MASH-in të sjellë një akt nënligjor, përmes të cilit do të detyrohet ta harmonizojë shujtën prej 140 denarësh me shumën që duhet të jetë sipas inflacionit”, theksoi Hodai.

FNA kërkon gjithashtu që studentëve t’u kompensohet në mënyrë retroaktive dëmi financiar që, sipas tyre, u është shkaktuar nga mosrritja e shumës së shujtës studentore.

Portalb.mk pyeti edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës lidhur me padinë që dorëzoi FNA-ja, por nga Ministria nuk u përgjigjën.

Ndërkohë, shujta studentore ka qenë temë diskutimi edhe gjatë muajve të fundit. Studentët kanë kërkuar që shuma ditore të rritet nga 140 në 200 denarë, ndërsa Qeveria ka propozuar një model të ri, sipas të cilit studentët do të përfitonin vauçerë elektronikë në vlerë prej 4.500 denarësh në muaj. Për këtë propozim janë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit studentorë, por zgjidhja ende duhet të rregullohet përmes ndryshimeve ligjore.