“Nuk duam më minuta heshtjeje, por përgjegjësi dhe punë të ndërgjegjshme”, u paralajmërua “Marshimi i Engjëjve” për 14 nëntor
Sa kohë do të na duhet të përsërisim tragjeditë? Sa jetë të tjera duhet të humbasin para se të bëhet diçka? Sa familje duhet të mbeten pa të dashurit e tyre?, janë pyetjet e Shoqatës së Qytetarëve “16 Mars 2025”, e cila më 14 mars bëri thirrje për një “Marshim të Engjëjve” të ri në Koçan, raportoi SP, përcjell Portalb.mk.
Marshimi është paralajmëruar simbolikisht në orën 16:05 në Koçan, qytetin ku 63 të rinj vdiqën në një zjarr të paparë në mars, dhe më shumë se 200 u plagosën rëndë dhe pësuan trauma dhe pasoja të përjetshme.
“Sa shtëpi duhet të shuhen në heshtje që ne më në fund të kuptojmë se jeta njerëzore nuk ka çmim? Sa kohë do të presim të ndodhë një tragjedi për të filluar të flasim për përgjegjësi? Sa kohë do t’i kërkojmë fajtorët vetëm pasi të jenë humbur jetë, në vend që të parandalojmë rreziqet në kohë? Sa kohë do të paguajmë për dështimet, mosveprimin dhe papërgjegjësinë institucionale me jetë njerëzore? A nuk kemi mësuar asgjë nga tragjeditë që e kanë mbështjellë Maqedoninë me të zeza? Nuk duam më minuta heshtjeje! Duam vite përgjegjësie, punë të ndërgjegjshme dhe parandalim të vërtetë!”, thuhet në thirrjen për marshin.
Shoqata thekson se ia kushton këtë “Marsh të Engjëjve” jo vetëm luftës për drejtësi të vërtetë për 63 personat që vdiqën në zjarr, por edhe të gjitha viktimave të pafajshme, jetët e të cilëve u humbën për shkak të dështimeve sistemike, mosveprimit institucional dhe papërgjegjësisë.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.