Mariçiq: Me përpjekje të përbashkëta mund të kemi sukses dhe anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030

Sot, në debatin publik në Komisionin për Çështje Evropiane për fushën e sundimit të ligjit në funksion të qytetarëve, zëvendëskryeministri Mariçiq identifikoi katër sfida që dalin nga fusha strategjike “Qeverisja në funksion të qytetarëve” nga korniza për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, e cila pothuajse përputhet plotësisht me detyrimet nga negociatat e anëtarësimit në BE dhe me grupimet që përfshijnë shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe administratën publike, transmeton Portalb.mk.

U theksua se zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, veçanërisht në dekadën e parë, do të ndikohet fuqishëm nga karakteristikat e rrugës që do të ndiqet në anëtarësimin në BE në periudhën në vijim.

“Duhet të theksohen hapat madhorë të ndërmarrë nga Qeveria në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE dhe në drejtim të garantimit të qeverisjes në funksion të qytetarëve. Procesi i skrinigut po vazhdon siç është planifikuar – për Klasterin 1: Bazat, Klasterin 2: Tregun e Brendshëm dhe Klasterin 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse ka përfunduar. Raporti i skrinigut është shumë i rëndësishëm sepse shërben si udhërrëfyes në përgatitjen e tre udhërrëfyesve për shtetin e së drejtës, reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe Planin e Veprimit për pakicat”, theksoi Mariçiq.

Kjo, tha Mriçiq, na lejon të hapim Klasterin 1, “vlerat themelore”, deri në fund të vitit, gjatë presidencës spanjolle.

Komisioni Evropian kërkoi që ky dokument të pasqyrojë përkushtimin politik dhe vizionin e Qeverisë për zbatimin e reformave të nevojshme në fushat përkatëse, pra kapitujt 23 dhe 24, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, dhe Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Për të siguruar gjithëpërfshirjen dhe transparencën, Sekretariati për Çështje Evropiane filloi konsultimet me organizatat e shoqërisë civile, u organizua takim ku SÇE prezantoi udhërrëfyesit dhe ftoi organizatat e shoqërisë civile të parashtrojnë propozimet e tyre.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Mariçiq përmendi se puna e Misionit vlerësues të BE-së për Këshillin Gjyqësor ka përfunduar dhe se priten rekomandime.

“Për ne është e rëndësishme që mangësitë në lidhje me pozitën dhe kompetencat e tij të identifikohen siç duhet. Misioni vlerësues i BE-së për Këshillin Gjyqësor erdhi në kohën e duhur nëse kemi parasysh se në këtë moment është duke u përgatitur udhërrëfyesi për sundimin e ligjit për funksionimin e përgjithshëm më të mirë të gjyqësorit. Rekomandimet nga Raporti do të merren parasysh dhe do të adresohen në përputhje me rrethanat”, theksoi Mariçiq.

Në fund, zëvendëskryeministri Mariçiq theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme përfshirja e të gjitha subjekteve politike, partive politike, deputetëve, Qeverisë, si dhe rëndësia e përfshirjes së prokurorëve, gjyqtarëve, anëtarëve të institucioneve publike, këshillit gjyqësor, akademisë, sektori joqeveritar për zhvillimin e strategjisë kombëtare për sundimin e ligjit.

“Ju keni një partner në qeveri për zbatimin e strategjisë dhe jam i sigurt se me përpjekje të përbashkëta mund të kemi sukses dhe të arrijmë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe se kjo do të realizohet deri në vitin 2030″, tha Mariçiq.

Sekretariati bën me dije se Strategjia e Reformës në Sektorin e Drejtësisë 2017-2022 ka përfunduar. Strategjia e re është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe draft versioni do t’i përcillet Komisionit Evropian për opinion.

Diskutimin publik të komisionit për çështje evropiane e udhëhoqi kryetari i komisionit, Arbër Ademi, pas fjalës hapëse të zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, folën profesori Aleksandar Stojkov nga Fakulteti Juridik, akademik Vlado Kambovski dhe profesoresha Besa Arifi.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.