Në mënyrë të gabuar pretendohet se një nga të dyshuarit për sulmin në Moskë është militanti çeçen Azhiev

Burri në foto, i cili u identifikua, u ndalua dhe u soll në gjykatë nga autoritetet ruse si i dyshuar për sulmin terrorist në Moskë, është Dalerjon Mirzoev, një shtetas i Taxhikistanit dhe ai nuk ka lidhje me Rustam Azhiev, treguar në foton e djathtë, një militant çeçen i cili në vitin 2022 iu bashkua luftës në Ukrainë, në anën e Kievit, shkruan Vërtetmatësi.

Ne po analizojmë një postim në Facebook që pretendon se një nga sulmuesit e përfshirë në sulmin terrorist të 22 marsit në Moskë që vrau më shumë se 140 njerëz, ka nënshtetësi ukrainase dhe është një nga udhëheqësit e militantëve çeçenë që luftuan përkrah forcave të armatosura ukrainase në vitin 2022. Postimi pretendon se është Rustam Azhiev, i njohur më mirë si Abdul-Hakim al-Shishani. 

Ky detaj është shumë interesant. Nëse pretendimi është i vërtetë, do të jetë jashtëzakonisht keq për njërën palë… Rustam Azhiev është shtetas i Ukrainës. Në mesin e tetorit 2022, një nga drejtuesit e militantëve çeçenë që luftuan në krah të forcave të armatosura ukrainase, Rustam Azhiev, i njohur më mirë si Abdul-Hakim al-Shishani, mori nënshtetësinë ukrainase, thuhet në njoftim.

Në anën e majtë të fotografisë që shpërndan postimi, shfaqet një foto e sulmuesit të supozuar dhe në anën e djathtë është fotografia e Rustam Azhiev. Postimi pretendon se është i njëjti person.

Megjithatë, ky është një pretendim i gabuar, shkruajnë kontrolluesit e fakteve të Observer.pt.

Rustam Azhiev, i njohur më mirë me emrin e tij të lindjes Abdul Hakim al-Shishani, është një militant çeçen që luftoi në Luftën e Dytë Çeçene, luftoi përkrah xhihadistëve në Siri dhe në vitin 2022 iu bashkua luftës në Ukrainë, në anën e Kievit, së bashku me një grup luftëtarësh çeçenë.

Rustam Azhiev është individi në foton në të djathtë. Por jo në foton në të majtë.

Më 22 mars, një grup prej katër terroristësh hynë në sallën e famshme të koncerteve Crocus City Hall në periferi të kryeqytetit rus Moskë dhe qëlluan pa dallim drejt turmës, duke vrarë afro 150 njerëz. Sulmuesit përdorën edhe bomba ndezëse, të cilat shkaktuan një zjarr të fortë dhe çuan në shembjen e çatisë së ndërtesës.

Në orët e para të së shtunës, më 23 mars, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se 11 të dyshuar ishin arrestuar, duke përfshirë katër të përfshirë drejtpërdrejt në sulm.

Atë ditë në mediat ruse filluan të qarkullojnë disa informacione për autorët e sulmit. Një nga burimet e para të informacionit ishte një video e postuar në Telegram nga Margarita Simonyan, një gazetare ruse që drejton kanalin RT, duke treguar marrjen në pyetje të të dyshuarve, raporton Observador (observador.pt).

Video është transmetuar edhe nga disa media të huaja, si britanikja “Mirror”.

Fotoja që shfaqet majtas në postimin që po analizojmë është një pamje nga ajo video. Autoritetet ruse kanë publikuar zyrtarisht fotot dhe identitetin e katër sulmuesve. Sipas mediave shtetërore ruse, të pandehurit janë emëruar si Dalerjon Mirzoev, Saidakrami Murodali Rachabalizoda, Shamsidin Farudini dhe Muhammedsobir Fayzov, të gjithë shtetas të Taxhikistanit.

Burri në foton në të majtë është identifikuar si Dalerjon Mirzoev, shtetas i Taxhikistanit. Sulmuesit tashmë janë sjellë para një gjykate në Moskë – dhe janë fotografuar me këtë rast.

Siç vuri në dukje në Twitter gazetari Arik Toler, i cili bën kërkime vizuale për The New York Times edhe mediat e zakonshme ruse nuk po e ndajnë këtë informacion, i cili duket se është shfaqur në Twitter dhe më pas është përhapur në rrjetet e tjera sociale.

Dy burrat, pavarësisht ngjashmërive të përgjithshme në fytyrat e tyre, kanë disa dallime të dukshme – duke filluar me një deformim të veshëve të tyre që i dallon qartë nga njëri-tjetri.

Bazuar në të gjitha faktet më sipër, mund të konkludojmë se postimi po ndan një pretendim të rremë për një nga sulmuesit në sallën e koncerteve në Moskë. Personi në foto, i cili u identifikua, u ndalua dhe u soll në gjykatë nga autoritetet ruse si i dyshuar për sulmin terrorist është Dalerjon Mirzoev, një shtetas i Taxhikistanit dhe ai nuk ka lidhje me Rustam Azhiev, i paraqitur në foton në të djathtë një militant çeçen i cili në vitin 2022 iu bashkua luftës në Ukrainë, në anën e Kievit.