Osmani: Asgjë nuk mund ta zvogëlojë rëndësinë dhe urgjencën e ndryshimeve kushtetuese

Asgjë nuk mund ta zvogëlojë rëndësinë dhe urgjencën e ndryshimeve kushtetuese. Duhet ta shfrytëzojmë derën e hapur të BE-së për shkak të ndodhive gjeopolitike në kontinentin evropian, sepse në të kundërtën Maqedonia e Veriut një mundësi të këtillë mund të presë me dekada, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, njofton Portalb.

Osmani në emisionin “Top tema” në Televizionin “Telma” tha se ndodhemi para një momentumi serioz historik.

“E di se politikanët këtë e thonë çdoherë dhe më po humb peshën. Megjithatë me të vërtetë, pas Luftës së Dytë Botërore dhe formimit të BE-së, një momentum të këtillë gjeopolitik nuk ka pasur asnjëherë me agresionin rus në Ukrainë dhe prej këtu është urgjenca jonë që të kapim hapin me këtë hapje të BE-së. Shpesh them se BE-ja po zgjerohet sipas dy parimeve – meritokratik dhe gjeopolitik. Çfarë do të thotë kjo? Se ajo derë e madhe e hekurt hapet periodikisht në disa shkase dhe momentume gjeopolitike, ndërsa hyjnë, në atë periudhë të derës së hapur ata të cilët janë të gatshëm”, tha Osmani.

Sipas tij, vendi nuk guxon ta lëshojë këtë mundësi. Edhe krahas qëndrimit të opozitës e cila është kundër ndryshimeve kushtetuese, Osmani është optimist duke theksuar se ka treguar optimizëm edhe më 19 korrik të vitit 2022, kur askush nuk ka besuar se “procesi do të kalojë”.

“Unë ju them se do ta kalojmë sërish, edhe atë në interes më të mirë”, tha Osmani.

Për atë se kur është afati i fundit për ndryshimet kushtetuese, Osmani thotë se dera do të fillojë “mbyllet pas dhjetorit, për shkak se fokusi sërish do të jetë Ukraina”.

“Do të duhet tani me të gjithë forcat ta kapim dhjetorin. Por, nëse nuk e kapim, për mua dita e fundit është mandati i këtij Parlamenti, sepse unë jam i bindur se pas zgjedhjeve, do të jetë shumë vështirë”, tha Osmani.

Osmani theksoi se procesi negociues për BE-në të mos ndërlidhet me protokollet që dalin nga Marrëveshja me Bullgarinë.

I pyetur për atë se kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Osmani tha se me siguri do të jenë në terminin e rregullt.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.