Në vend se shtatë do të jenë pesë, ashensorët e rinj të Spitalit të Tetovës pritet të instalohen para Vitit të Ri, paralajmëroi Mexhiti (Video)

Ndonëse në muajin maj autoritetet e shëndetësisë deklaruan se në Spitalin e Tetovës do të instalohen shtatë ashensorë të rinj, do të instalohen vetëm pesë. Procedura për instalimin e ashensorëve sipas ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhitit pritet të përfundojë para Vitit të Ri, shkruan Portalb.mk.

Mexhiti theksoi se ishin të paraparë shtatë ashensorë të rinj, mirëpo sipas tij nuk ishin bërë kalkulimet mirë nga ana e udhëheqësisë paraprake të spitalit.

“Domethënë mbeti se është e nevojshme me ardhjen e re të menaxhimit të klinikës së Spitalit të Tetovës, se nuk ka nevojë të ketë shtatë ashensorë edhe ata të holla që i destinuam vetë me mjete vetanake të Spitalit të Tetovës i destinuam për vende tjera ku ka nevojë për momentin. Pesë ashensorët që i kam premtuar prej ditës së parë si ministër, jemi duke punuar në atë drejtim e dini se ka një komision për prokurime publike… njëherë e rrëzuan, ne e anuluam atë procedurë, kemi filluar procedurë të re. Nuk është hera e parë që ky komision të përdorë kështu praktikash”, tha Mexhiti i cili nuk komentoi nëse kjo është tendenzioze apo jo, por tha se ndodh për herë të dytë, duke përmendur rastin me tenderin për diabetikët.

Ministri theksoi se instalimi i ashensorëve pritet të bëhet para Vitit të Ri.

“Ju garantoj se së shpejti ndoshta edhe para vitit të ri, para fundvitit kjo do të jetë realitet. Me menaxhimin e ri të klinikës, këto ashensorë që në kohën kur unë kam dërguar për t’i rregulluar më kanë thënë se nuk rregullohen nuk bëhen. Do të thotë se me ardhjen e menaxhimit të ri edhe kjo u bë e mundur, se këta kanë mundur të vihen në funksion, këta janë të vjetër, të amortizuar por deri në ditën kur ti vendosim ashensorët e rinj këta do të jenë në përdorim”, tha Mexhiti.

Nga ana tjetër, drejtori i spitalit të Tetovës, Ilir Demiri i pyetur nëse do të rregullohet ashensori i cili nuk punon në repartin e kirurgjisë me të cilin barten kufomat, theksoi si vijon:

“Për momentin ai ashensor nuk është në funksion, në çdo godinë të Spitalit Klinik të Tetovës. Jemi në pritje të ashensorëve të rinj, përndryshe funksionaliteti i spitalit nuk dëmtohet në asnjë moment, edhe pacientët nuk mbahen në dorë më. Edhe në morg bëhen me liftin që është i kirurgjisë.”

Këto komente zyrtarët i bënë gjatë promovimit të repartit të rinovuar në bllokun internistik dhe në hapësirat e gjinekologjisë te blloku i kirurgjisë.

Reparti Internistik në Spitalin e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Reparti Internistik në Spitalin e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndonëse kishte shpresë për instalim të ashensorëve të rinj, kjo procedurë në vend se të mbaronte, tani është në fazën e rifillimit të vlerësimit të ofertave, kjo për shkak se ka pasur ankesë kundër vendimit për ofertuesin e zgjedhur.

Ashensorët aktual në Spitalin e Tetovës janë të vjetër dhe vazhdimisht pësojnë defekte, shpesh duke qenë jashtë funksionit për periudha të gjata. Pavarësisht nevojës së madhe për zgjidhjen afatgjate të së njëjtëve, pasi shpesh pacientët dhe kufomat barteshin me duar, autoritetet deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problematikë.