Konkurrenca në një zonë të ngushtë gjeopolitike

Ndërsa pasiguria vazhdon në mbarë globin, në Evropë dhe veçanërisht në Ballkan, debati nëse qeveritë do të t’i përmbushin premtimet e dhëna para zgjedhore mbeten për tu parë. Ndërkohë, disa ngjarje në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi kanë qenë të rëndësishme dhe me ndikim që aktorët tjerë gjeopolitik të angazhohen në mënyra të ndryshme në Ballkan. Në një skenarë tjetër, WB-6 shtetet mund të humbasin
betejën e tyre të integrimit në BE, nëse zotimet e bëra nuk do të konkretizohen me bashkëpunim dhe siguri fqinjësore. Për shkak të aktorëve të jashtëm si Rusia dhe Kina, Ballkani mund të rrëshqasë në nivele të ulëta
tensioni.

Vizita e fundit e presidentit kinez Xi Jinping në Hungari dhe Serbi, i ka shtyrë disa procese gjeopolitike shumë më shpejt se agjenda e BE-së për Ballkanin. Dhe kjo ka një ndërlidhje të qartë e cila vazhdon të
shqetësojë SHBA-të. Serbia vazhdon të punojë kundër stabilitetit të të gjithëve në Ballkan, dhe paralelisht po bën lojën e të fuqishmit që mund të rrezikojë shtetet fqinjë me ndihmën e forcave radikale. Një gjendje e
pasigurisë vazhdon të rritet nga veprimet e aktorëve të jashtëm për të pasur ndikim të shumfishtë e të vazhdueshëm në BE dhe në Ballkan.

Konkurrenca në një zonë të ngushtë gjeopolitike ka qenë gjithmonë një shqetësim për shekuj. Politika kineze dhe ruse janë në konkurrencë të ashpër me BE-në dhe SHBA-në, por pasi Serbia po luan një rol vendimtar e të dyfishtë në anën e Kinës, dhe natyrisht të Rusisë, vazhdon të mbetet e paqartë se sa shpejt do të mund shtetet e Ballkanit të bëhen pjesë e BE-së, pra një bllok i ri shtetesh kundër dyshes (Hungarisë dhe Serbisë) që po forcohen në Evropën Qendrore dhe në Ballkan. Politika perëndimore ka shkuar lart e poshtë dhe pyetja është nëse do të vazhdohet me të njëjtat karota apo jo. Ndoshta Perëndimi do të vazhdojë me të njëjtat masa për shkak të mungesës së një strategjie afatgjate se si të veprohet me shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit.

BE-ja ka dhënë mbështetje financiare për Ballkanin si një mënyrë për të përmirësuar ekonomitë dhe stabilitetin, por disa popujt e qeveri të Ballkanit po jetojnë nën ëndrrat e historisë. Qeveritë kombëtare tentojnë të manipulojnë emocionet e banorëve me fjalime të zjarrta të udhëheqësve politikë që nuk thonë asgjë për klasën e varfër dhe të mesme të shoqërive të brishta ballkanike. Mirëpo, në disa rajone popullizmi dhe idetë kundër BE-së dhe NATO-s janë rritur.

Më tej mungesa e projekteve dhe papunësia e lartë kanë ngritur shqetësime për hyrjen e investimeve të huaja dhe kredive duke krijuar një borxh të lartë për qeveritë kombëtare. Iluzioni për korporatat kineze dhe kompanitë e tjera të Lindjes së Mesme kanë sjellë realitete të reja gjeoekonomike në Ballkan përballë ndihmës që vjen nga BE-ja. Duke konkurruar në një zonë kaq të ngushtë si Ballkani, ku nuk ka shumë burime, me popuj e qeveri që kanë dëshirë të flasin më shumë për të kaluarën, aktorët e huaj vazhdojnë të projektojnë lojëra kundër njëri-tjetrit në kurriz të popujve të vegjël.

Lojërat e reja mund të çojnë në ndryshime në udhëheqje, mund të ndikojnë në humbjen e orentimit dhe angazhimit strategjik për stabilitet dhe paqe. Për shembull, qeveria serbe me dekada ka deklaruar se është duke punuar në
rrugën drejt BE-së, por situata reale tregon se Beogradi zyrtar nuk e ka përafruar politikën e saj me BE-në. Udhëheqja serbe është e mbërthyer në nacionalizmin dhe historinë e shekujve 15 dhe 19, dhe do të vazhdojë të
përbëjë një kërcënim për shtetet e tjera të rajonit. Gjithashtu, ka disa shqetësime të reja se me fitoren e VMRO-DPMNE-së, partisë së djathtë në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare (prill-maj,
2024), vendi mund të kthehet nga rruga e nisur për në BE, të tensionojë marrëdhëniet me të tjerët, dhe përfundimisht të kërkojë alternativa të reja strategjike.

Duhet pranuar se gjithmonë ka dyshime në politikën e jashtme dhe diplomacinë e shteteve kur kemi ndryshime të brendshme. Por nëse lidershipi nuk bie në gabimet e mëparshme, dhe nuk e lexon historinë së mbrapshti, gjithmonë ka një mënyrë për të gjetur zgjidhje në mes shteteve. Nëse qeveria e re në Shkup bie në kurthin e aktorëve të mëdhenj gjeopolitikë, dhe të inateve me fqinjët, atëherë treshja e re e përbërë nga Hungaria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, mund të hyjë në një lojë të ashpër që mund të çojë në krijimin e një fronti të ftohtë jo vetëm kundër Perëndimit. E gjithë kjo mund të ndodhë pavarësisht nëse shtetet janë anëtare të NATO-s. Për më shumë, duhet të shohim qëndrimin e Sllovakisë ndaj sigurisë në Evropë.

Një rritje e konkurrencës gjeopolitike në ato zona si Ballkani, mund të çojë në refuzimin e qeverive për të përmbushur marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe mund të jetë një thirrje që historia të luajë lojën në marrëdhëniet rajonale. Në mjegullën gjeopolitike, saktësia e të menduarit realist është gjithmonë e vështirë. Por, liderët duhet të
bëjnë më të mirën për hir të sigurisë dhe stabilitetit, duke mos i përsëritur gabimet e së kaluarës. Ndërsa qeveritë duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara, pavarësisht se gjithmonë nuk janë ashtu siç priten.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.