30 ditë paraburgim për pesë nga gjashtë të arrestuarit e grupit kriminal nga Gërçeci

Pesë nga gjashtë personat e arrestuar në aksionin e djeshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të cilin u shkatërrua një grup kriminal nga fshati Gërçec i Shkupit, Gjykata Themelore Penale Shkup caktoi paraburgim prej 30 ditësh, transmeton Portalb.mk.

Njërit prej të dyshuarve, nga ana tjetër, i është caktuar masa e kujdesit, përkatësisht i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar të dalë nga vendbanimi, me detyrim paraqitje në gjykatë.

Të dyshuarit, siç  , gjatë natës së kaluar janë sjellë në Gjykatë dhe janë sjellë para gjyqtarëve të procedurës paraprake të cilët kanë vendosur në bazë të propozimeve të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit për përcaktimin e masave për sigurimin e pranisë.

“Është pranuar propozimi i PThP për krim të organizuar dhe Sh.B., F.B., N.I., F.S., dhe S.A. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa për O.P. pranoi propozimin për caktimin e masave të sigurimit, përkatësisht konfiskimin e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të një të reje, ndalimin e daljes nga vendbanimi dhe detyrimin për paraqitje në gjykatë”, thuhet në njoftimin e Gjykata Themelore Penale Shkup.

Në të njëjtën kohë, shtuan ata, Gjykata pranoi propozimin dhe urdhëroi ndalimin e 10 personave të tjerë të përfshirë në hetim, të cilët aktualisht nuk janë në dispozicion të organeve të rendit.

Ndalimi i tyre do të fillojë pasi të gjenden dhe t’u hiqet liria.

“Kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankim në Këshillin Penal të kësaj gjykate”, shton Penalja.

Grupi kriminal transportonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Maqedoni dhe kryente vrasje dhe hakmarrje, tha ministri.

“Ata kishin plane kush dhe ku do të vritet. Ky grup ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe organizonte blerjen e kokainës nga Amerika e Jugut, të cilën drogë e transportonin në Evropë, ndërsa një pjesë në vend. Ata përdorën komunikim të koduar përmes aplikacionit SKY, i cili është praktikisht i pa gjurmueshëm”, tha dje Spasovski.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.