Xhamia e Larme në Tetovë do të propozohet për trashëgimi botërore të UNESCO-s

Xhamia e Larme në Tetovë po fillon proces për t’u regjistruar në Listën Tentativë të UNESCO-s, gjë që është hapi i parë drejt përgatitjes së dosjes së nominimit për shpalljen e saj si trashëgimi botërore, njofton Portalb.mk.

Nismën e kanë ngritur Qendra Kombëtare e Konservimit dhe Bashkësia Fetare Islame – Myftinia e Tetovës, ndërsa ka marrë mendim pozitiv edhe nga Këshilli Kombëtar për Trashëgimi Kulturore.

Për koordinimin e aktiviteteve fillestare, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, formoi grup pune i cili do të përgatisë dokumentacionin dhe do të zbatojë aktivitetet e nevojshme në procesin e nominimit. Grupin e punës e koordinon Zoran Pavllov, historian i artit, konservator i lartë dhe ekspert për trashëgiminë kulturore osmane në Maqedoni. Në të bëjnë pjesë edhe Cvetanka Haxhi Pecova, Afet Jashari, Mahmud Emini, Luiza Nevzati dhe Zarije Amdiu Rexhep, ekspertë nga fusha e arkitekturës, konservimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Xhamia e Larme është një nga monumentet më përfaqësuese të arkitekturës islame të shekullit XIX në Maqedoni. Piktura e saj unike murale, me ornamente gjeometrike dhe floreale, peizazhe dhe ngjyra mbresëlënëse, e veçon atë nga objektet e tjera fetare. Në arkitekturën dhe shprehjen e saj artistike gërshetohen ndikimet evropiane të barokut dhe rokokos me estetikën tradicionale osmane, gjë që i jep asaj një vlerë të veçantë kulturore dhe historike.

Kompleksin fetar e plotëson edhe tyrbja e tipit të hapur, e cila ndodhet menjëherë pranë xhamisë dhe daton më së voni nga gjysma e parë e shekullit XVI, duke dëshmuar për historinë e gjatë të kompleksit.

Regjistrimi në Listën Tentativë është fazë fillestare në proces, ndërsa para shpalljes eventuale si trashëgimi botërore do të duhet të hartohet dhe të dorëzohet dosje e plotë nominimi.