Tensionet midis menaxhmentit të M-NAV dhe kreut të sindikatës po përshkallëzohen në konflikt të hapur, të shoqëruar me akuza të ashpra për abuzim, si dhe presion mbi punonjësit, raporton Portalb.mk.
Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, siç njofton Tellma, Aleksandar Tasevski, ka marrë padi penale për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve.
Këtë e bëri të ditur sot përfaqësuesi ligjor i kompanisë kombëtare për menaxhim të trafikut ajror, Goran Nikollovski.
“Është ngritur padi penale për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve, ku zoti Tasevski, për qëllime personale, ka keqpërdorur pozitën e tij si kryetar i sindikatës dhe ka dhënë njoftime dhe kërkesa për përdorim të ditëve të paguara për punë, duke deklaruar se do t’i përdorë për aktivitete dhe takime sindikale. Por, zoti Tasevski ka udhëtuar për një vizitë private në Qipro me partneren e tij. Unë nuk e kam parë personalisht, por një gazetar e ka vërejtur në Qipro. Në bazë të kësaj është dorëzuar padia dhe është vepruar sipas ligjit”, tha Goran Nikollovski, avokat dhe përfaqësues i M-NAV.
Tasevski i mohoi këto akuza dhe thotë se do të shqyrtojë nëse ka bazë për padi në këtë rast. Ai nuk e di kush e ndjek, por dyshon edhe për raportim të rremë.
“Duket qartë se M-NAV tashmë po hyn në panik sepse nuk po ia dalin të shpërbëjnë sindikatën dhe tani përpiqen të krijojnë tension midis anëtarëve. A kanë angazhuar ndonjë detektiv për të më ndjekur mua?! Kanë punë më të mençura për të bërë. Ne do të mbrojmë të drejtat tona. Por dihet që për raportim të rremë ka përgjegjësi ligjore, kështu që kjo është çështje e tyre. Ata do të fillojnë lojën, por do të bien vetë në atë rrjetë”, u shpreh Aleksandar Tasevski, kryetar i Sindikatës.
Tensionet midis M-NAV dhe Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror nisën me paralajmërimin për grevë të përgjithshme pesëorëshe në tetor të vitit të kaluar, me të cilën do të mbyllej hapësira ajrore e Maqedonisë për kërkesa për kushte më të mira dhe depolitizim. Greva u ndalua me vendim gjyqësor dhe u kundërshtua si e paligjshme nga M-NAV, por vendimi u rrëzua në Apel. Gjykata e vlerësoi përsëri grevën e sindikatës si të paligjshme, dhe për shkak të paralajmërimeve për greva të reja, M-NAV nisi procedurë gjyqësore të veçantë për të vendosur nëse sindikata nuk ka të drejtë të veprojë dhe organizojë veprime të tilla në mënyrë autonome.