ANALIZË: Kompanitë shtetërore, SHA dhe NP, për tre muaj i kanë zvogëluar fitimet e tyre për thuajse tre herë, disa me humbje milionëshe (Infografik)
Disa i përgjysmuan humbjet, të tjera i rritën ato. Të dhënat e përmbledhura mbi punën financiare të Ndërmarrjeve Publike dhe Shoqërive Akcionare të themeluara dhe të kontrolluara nga pushteti qendror tregojnë se rezultati i përgjithshëm financiar i 29 kompanive shtetërore, NP dhe SHA, është në zonën pozitive, por në nivel tremujor fitimi është zvogëluar për pothuajse tre herë. Disa nga NP-të më të mëdha, të cilat punësojnë më shumë njerëz, edhe më tej po përballen me humbje. Sipas përllogaritjes 17 nga gjithsej 29 SHA dhe NP shtetërore kanë rezultat financiar negativ, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Te një pjesë e kompanive shtetërore dhe SHA-ve – rritje e konsiderueshme e humbjeve…
Vendin e parë me humbje prej 16.716.000 euro e zë SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”, me ç’rast krahasuar me gjendjen në fund të vitit 2024 humbja operative e kësaj kompanie është përgjysmuar. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025 humbja operative është thelluar. EMV-ja shtetërore mbetet e para në listë sipas lartësisë së humbjeve operative, si dhe bën pjesë edhe në grupin e kompanive shtetërore me shumën më të lartë të detyrimeve të arritura, por të papaguara. Në vendin e dytë është SHA shtetërore “Hekurudhat – Transporti”, e cila në fund të vitit 2025 ka deklaruar humbje prej 2.451.300 euro, që është një rritje dramatike prej 2.357.300 euro brenda vetëm një viti, krahasuar me vitin 2024, ndërsa rritje ka edhe në nivel tremujor.

Në vendin e tretë ndodhet NPR “Radio Televizioni i Maqedonisë“, i cili në fund të vitit 2025 ka raportuar humbje në shumë prej 1.947.000 euro, që është një rritje e konsiderueshme krahasuar me tremujorin e tretë kur kanë punuar me një fitim në vlerë prej 1.500.000 euro, që do të thotë se vetëm për tre muaj kjo NPR nga zona pozitive ka hyrë në një zonë të humbjeve milionëshe. Minus në punën financiare prej pothuajse 1.829.550 euro ka raportuar SHA “Posta e Republikës së Maqedonisë së Veriut“. Kjo SHA shtetërore në nivel vjetor e ka përgjysmuar humbjen, ndërsa në raport me tremujorin e tretë të vitit 2025 ka një rritje të humbjes operative për 1.000.000 euro.
Në këtë grup me humbje milionëshe gjenden edhe dy SHA-të shtetërore të sektorit të aviacionit. SHA “Aeroportet e Republikës së Maqedonisë së Veriut” në fund të tremujorit të katërt të vitit 2025 kanë raportuar humbje prej 1.487.000 euro, me një rritje të konsiderueshme si në nivel tremujor ashtu edhe në nivel vjetor, kur humbjet kanë arritur në 24.000 euro.
SHA për kryerjen e veprimtarisë ofrimi i shërbimeve të navigacionin ajror “M – NAV” ka raportuar për një humbje prej 1.243.500 euro, me ç’rast ka një rritje të konsiderueshme të humbjeve duke pasur parasysh se në tremujorin e tretë të vitit 2025 ato kanë raportuar fitim prej 3.665.600 euro. Sipas rezultateve për punën financiare NP “Rrugët Shtetërore” është në “zonën pozitive” me një fitim prej 27.300.000 euro, me ç’rast kjo SHA shtetërore është bartëse e financave për ndërtimin e korridoreve rrugore, gjë që reflektohet edhe në bilancet për punën financiare. Në fund të vitit 2024 “Rrugët Shtetërore” ka raportuar një humbje prej 9.500.000 euro.

NP për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale vitin që shkoi e ka mbyllur me një fitim prej 3.000.000 euro, SHA “Llotaria Shtetërore” kanë qenë në anën“pozitive” me 2.367.000 euro, SHA “Nomagas” – Shkup ka raportuar fitime prej rreth 1.656.000 euro, ndërsa NP “Pyjet Nacionale” kanë pasur një fitim prej 852.300 euro.
Analiza komparative të cilën e kreu Portalb.mk tregon se 58% nga 29 kompanitë shtetërore të analizuara, NP dhe SHA, vitin e kaluar 2025 e kanë mbyllur me humbje. Në fund të vitit 2025 të ardhurat e përgjithshme të 29 NP-ve dhe SHA-ve shtetërore kanë qenë 274.134.000 euro, ndërsa shpenzimet kanë qenë në nivelin e 262.858.000 eurove.