Lloga takoi Ljubomir Joveskin për zjarrin në modularin e Tetovës, nesër takon Islam Abazin

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL)”rindezi zjarrin” për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë pasi i njëjti  zbuloi edhe njëherë se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave. Në lidhje me këtë, Ministria e Drejtësisë njoftoi se sot ministri – Krenar Lloga në kuadër të aktiviteteve që po merren me këtë rast ka realizuar takim me prokurorin publik shtetëror, Ljubomir Joveski, ndërsa nesër do të takojë kreun e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Islam Abazi, transmeton Portalb.mk.

“Në takim u bisedua për rrjedhën e procedurave të udhëhequr nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dhe Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Kujtojmë që sot u protestua para Gjykatës dhe Prokurorisë së Tetovës nga qytetarët për mos sjelljen e drejtësisë dhe mos dënimin e fajtorëve për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Protestuesit kërkuan shkarkim të Ljubomir Joveskit, prokurorëve të tjerë të përfshirë në këtë vepër, politikanët e përfshirë si dhe Koço Angjushev me kompaninë Brako të përgjigjen penalisht.

Protesta erdhi pas publikimit të dokumentarit “Vrasje në Tetovë i cili zbuloi edhe njëherë se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave.

Sipas informatave të zbuluara në dokumentar, veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.