Policia e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi se janë duke u përsëritur mashtrimet me mesazhe rreth dënimeve në komunikacion

Në Maqedoninë e Veriut përsëri janë shfaqur mesazhe telefonike ku tentohet mashtrimi i qytetarëve rreth kundërvajtjeve në komunikacion. Policia për këtë kërkoi kujdes nga qytetarët kur pranojnë mesazhe në emër të projektit Safe City, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Brendshme e informon opinionin publik se gjatë periudhës së fundit është vërejtur sërish një dukuri e dendur e mesazheve mashtruese përmes SMS-ve, postës elektronike dhe rrjeteve sociale, me të cilat qytetarët mashtrohen se duhet të kryejnë pagesën për kundërvajtjen e supozuar rrugore e cila regjistrohet nga sistemi Qyteti i Sigurt, raportoi Policia.

Policia u bëri apel qytetarëve për kujdes të shtuar, pasi përmes këtyre mesazheve planifikohet marrja e të dhënave personale dhe bankare, për t’u keqpërdorur pastaj.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në muajin gusht ka regjistruar sulme fishing që kryhen përmes mesazheve të rreme SMS, e-maileve, faqeve të internetit, aplikacioneve mobile dhe mesazheve në rrjetet sociale. Për këtë arsye, MPB-ja u bën apel qytetarëve të mos hapin mesazhe të rreme, që pretendohet se janë dërguar nga “Qyteti i Sigurt”, dhe të mos ndajnë të dhëna personale.

Autoritetet edhe më parë kanë bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë në linqe të panjohura dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve të tilla.

Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi me mijëra kundërvajtje në trafik.

Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.