Tenderi për rrethimin e deponisë me arsen në Llojan do të shpallet më së voni muajin e ardhshëm

Deri në fund të muajit gusht ose në fillim të muajit shtator Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor duhet të shpallë tenderin për rrethimin e deponisë me arsen dhe mbeturina të tjera minerale që ndodhen në ish-minierën në Llojan. Nga kjo ministri shtojnë se deri në fund të muajit shtator do të bëhet i ditur emri i kompanisë që do të rrethojë deponinë e rrezikshme zgjyrës, e cila ndodhet rreth 100 metra larg shkollës fillore “Rilindja”, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

“Në pajtim me dispozitat ligjore për prokurim publik deri në fund të muajit shtator duhet të zgjidhet një kompani për kryerjen e aktiviteteve, të cilat duhet të realizohen deri në mesin e muajit dhjetor të vitit 2023”, njoftojnë  nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga kjo ministri në pranverë njoftuan se tenderi për rrethimin dhe mbulimin e deponisë me arsen do të shpallej më së voni brenda dy muajve, pra deri në fund të qershorit të këtij viti. Ky premtim u vonua, edhe pse në fund të vitit të kaluar u njoftua për ndarje të mjeteve nga Buxheti i Ministrisë për këtë qëllim.

Vitin e kaluar edhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor kërkoi që të bëhet rrethimi i deponisë të rrezikshme, si dhe vendosjen e tabelave paralajmëruese se ndalohet hyrja dhe lëvizja e njerëzve dhe kafshëve në atë lokacion. Meta.mk dhe Portalb.mk tashmë për një kohë më të gjatë po shkruajnë për këtë pikë të nxehtë ekologjike, si pasojë e së cilës mijëra banorë nga fshatrat Llojan, Vaksincë dhe Tabanoc me dekada të tëra po helmohen me arsen dhe mbeturina të tjera minerale nga ish-miniera “Llojan”.

Meta.mk dhe Portalb.mk kanë shkruar se në dy lokacionet ku është i shpërndarë arseni në Llojan (miniera e dikurshme e arsenit) dhe Tabanoc (stacioni hekurudhor) ekziston rrezik i madh si për njerëzit ashtu edhe për bagëtinë që lëviz lirshëm nëpër këto lokacione, si dhe për prodhimin e ushqimit, sepse në arat përreth kultivohen kultura të ndryshme bujqësore.

Trajçe Stafillov, profesor dhe studiues shumëvjeçar nga Instituti i Kimisë, në fillim të këtij viti në një intervistë për Meta.mk sqaroi se për arsenin që gjendet në Llojan dhe Tabanoc duhet gjetur një zgjidhje sa më parë të jetë e mundur. Me përfundimin e punëve në ish-minierën “Llojan” në vitin 1979, në Llojan të paeksportuara kanë mbetur 15.000 tonë koncentrat i pastër i arsenit, i cili përmban deri në 40 përqind arsen.

Stafilov shton se ky koncentrat arseni duhet të eksportohet në mënyrë të sigurt nga vendi, përpara se të fillojë çfarë do mbulimi i deponisë. Gjysmë milion ton mbetje të tjera në deponinë në “Llojan” do mund të mbuloheshin me metoda adekuate, të cilat do ta parandalonin ndotjen e mëtejshme të mjedisit jetësor.

Ndërkohë, procedura për eksportimin e arsenit dhe mbeturinave të tjera minerale në Llojan dhe Tabanoc ka ngecur në procedurat e vëllimshme administrative. Ministria e Ekonomisë nuk ka përgatitur ende studimin e fizibilitetit për arsyetimin e dhënies së një koncesioni të ri, pas çka do të publikohej shpallja e re për gjetjen e një koncesionari që do të marrë përsipër ta eksportojë koncentratin e arsenit jashtë vendit.

Përndryshe, në lokacionin afër deponisë me arsen në minierën “Llojan” mësimin e ndjekin fëmijët e shkollës fillore “Rilindja”, të cilët janë në rrezik të madh për shkak të këtij lokacioni të pa rrethuar. Gjithashtu, një frekuencë të madhe të njerëzve ka edhe në stacionin hekurudhor në Tabanoc, i cili në të ardhmen duhet të shndërrohet në pikëkalim të përbashkët hekurudhor mes Maqedonisë dhe Serbisë, ku në një vend do të kryhet kontrolli policor, doganor dhe fitosanitar i udhëtarëve dhe mallrave.