Protesta në Tetovë: Kërkohet shkarkimi dhe dënimi i prokurorëve, politikanëve dhe fajtorëve për zjarrin në modular (VIDEO)

“Kërkohen Venko Filipçe, Lubomir Jovevski dhe Koço Angjushev për vrasjen e 14 personave në modular”, “Dorëheqje”, “A doni gjykatë modulare”, “14 jetë të humbura, e vërteta të del në shesh”, “Drejtësi pa dallavere”, “S’ka drejtësi, s’ka qetësi”,, “Korrupsioni vret”, “Derisa nuk ka përgjegjësi, Tetova nuk do të ketë qetësi”, “Stop drejtësisë selektive”, këto janë vetëm disa nga mbishkrimet të cilat u ngritën nga qytetarët sot në protestën para Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë së Tetovës për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku vdiqën 14 persona, për të shprehur pakënaqësinë e tyre që dy vite pas ndodhjes së tragjedisë, ende nuk janë dënuar fajtorët e vërtetë, ata kërkuan drejtësi për viktimat, shkruan Portalb.mk.

Protestuesit kërkuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin Ljubomir Joveski  si dhe së bashku me prokurorët e tjerë të përfshirë në këtë vepër të përgjigjen penalisht. Gjithashtu në protestë u kërkua të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Njëra nga organizatoret e protestës, Elmedina Abdullahu duke i lexuar kërkesat e protestuesve theksoi se mbledhja para Prokurorisë dhe Gjykatës është për ta shprehur mllefin e qytetarëve për manipulimin dhe shtrembërimin e procesit gjyqësor për tragjedinë e 8 shtatorit ku u dogjën të gjallë 14 bashkëqytetarë.

“Për pesë vite ne kemi katër tragjedi të mëdha me 97 viktima dhe zero ditë burgim, prandaj dhe besimi në sistemin e drejtësisë në këtë shtet për ne është zero. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderëve pa kritere. U pa se korrupsioni vret. Nga ky proces u vërtetua që Prokuroria dhe Gjykata janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar që e mban peng shtetin. Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin Joveski dhe ai bashkë me prokurorët tjerë të përfshirë në këtë vepër monstruoze të përgjigjen penalisht. Kërkojmë të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin, tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”. Pa drejtësi nuk do të ketë qetësi” tha Abdullahu duke lexuar kumtesën e protestuesve.

Qytetarët në protestë u shprehën të revoltuar me organet e shtetit se për këtë rast ende nuk kanë sjellë drejtësinë që duhet për këtë tragjedi. Protestuesit i ngjitën pankartat në derën e Gjykatës së Tetovës.

Protestën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Protesta u organizua nga nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” dhe e njëjta u përkrah nga qytetarët, aktivistë, organizata qytetare por edhe nga disa parti politike.

Protesta erdhi pas publikimit të dokumentarit “Vrasje në Tetovë i cili zbuloi edhe njëherë se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave.

Sipas informatave të zbuluara në dokumentar, veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.