Kasami: Vrasje e trefishtë nga padrejtësitë, Prokuroria të dënojë fajtorët e vërtetë për modularin

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëkohësisht i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami sot përmes një konference për shtyp ka reaguar për rastin e zjarrit në spitalin modular ku të vdekur mbetën 14 persona. Kasami u paraqit krah Artan Etemit –  ish i akuzuar dhe i dënuar në gjykimin për modularin si drejtor ekonomik i Spitalit të Tetovës – i emëruar nga radhët e Lëvizjes Besa. Ai kërkoi përgjegjësi urgjente nga ana e Prokurorisë Publike që të dënojë fajtorët e vërtetë të kësaj tragjedie, shkruan Portalb.mk.

Kasami deklaroi se të vdekurit në spitalin modular në Tetovë dhe familjarët e tyre u vranë trefish nga padrejtësitë dhe vendimet skandaloze të këtij sistemi i cili vetëm drejtësi nuk solli asnjëherë.

“Herën e parë u vranë sepse u fshehën shkaktarët dhe fajtorët e vërtetë të këtij rasti, herën e dytë u vranë sepse drejtësia politike dhe korruptive dënoj ata që më së paku në këtë rast kanë përgjegjësi, herën e tretë i vrau kur Ministria e Shëndetësisë në krye me Fatmir Mexhitin i propozoi Qeverisë ti bëhet pagesa e mjeteve të ngelura financiare kompanisë kryefajtore Brako e cila në vend që tu dënonte ajo u shpërblye edhe me të holla”, tha Kasami.

Ai theksoi se kërkojnë përgjegjësi urgjente nga ana e Prokurorisë Publike se pse asnjëherë në procedurë gjyqësore nuk u morën parasysh konstatimet dhe hetimet se instalimet janë punuar keq, punë kjo e kryer nga kompania Brako dhe se arsyeja e Spitalit Modular që u ndez nga zjarri në kohë rekorde të shpejtë është për shkak se ndërtimi dhe materiali i këtij spitali modular ka qenë joadekuat dhe jo cilësor.

“Pyesim publikisht prokurorët e këtij rasti në krye me ish kryeprokurorin e parë Joveski dhe pasuesen e tij Josifovska, se pse asnjëherë gjatë gjykimit të këtij rasti nuk u morën për bazë raportet e konstatimeve nga ana e Ekipit të Forenzikës Gjermane dhe njëkohësisht të Inxhinierit Elektrik ku qartësisht në raportet e tyre i nxjerrin fajtorët e vërtetë dhe kryesorë të kësaj tragjedie e cila është kompania e ish zv.kryeministrit Angjushev për punën jo adekuate të kryer sipas specifikacioneve tenderuese të spitalit modular në fjalë! Dënoni fajtorët e vërtetë sipas raporteve dhe konstatimeve neutrale dhe profesionale që ju kanë ardhur për këtë rast; Porositësi i këtij spitali modular është Qeveria gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë në krye me Venko Filipçen dhe ndërtuesi i projektit është kompania e ish zv.kryeministrit Angjushev”, tha Kasami.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL)”rindezi zjarrin” për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë pasi i njëjti  zbuloi edhe njëherë se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave. Për këtë, sot në Tetovë pati një protestë në shenjë revolte ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimat.

Kasami nga gazetarët u pyet se përse nuk ishte sot në protestë, u përgjigj se janë të gatshëm të jenë pjesë e protestave, por që ka qenë shumë shpejt e organizuar dhe se kanë pasur agjendë tjetër të cilën nuk kanë mundur ta anashkalojnë.

“Njëherit ne do të kishim dashur që protesta të këtilla për raste kaq serioze të organizohen me kohë dhe sigurisht që edhe pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë më serioze. Pra ne bëjmë ftesë që në të ardhmen të ketë organizim pak më të gjerë…është ide fisnike”, tha Kasami.

Ndryshe nga Kasami, në protestë kishte pjesëmarrës nga Komuna e Tetovës dhe kabineti i tij.

Protesta e sotme u organizua nga nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” dhe e njëjta u përkrah nga qytetarët, aktivistë, organizata qytetare por edhe nga disa parti politike. Protestuesit kërkuan shkarkim të Ljubomir Joveskit, prokurorëve të tjerë të përfshirë në këtë vepër, politikanët e përfshirë si dhe Koço Angjushev me kompaninë Brako të përgjigjen penalisht.

Protesta erdhi pas publikimit të dokumentarit “Vrasje në Tetovë i cili zbuloi edhe njëherë se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave.

Sipas informatave të zbuluara në dokumentar, veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.