Është dërguar për mendim në KE Kodi i ri Penal dhe Projektligji për Procedurë Penale

Ministria e Drejtësisë njoftoi se ia dorëzoi Komisionit Evropian për mendim Projekt-Kodin e ri Penal dhe Projektligjin e ri për Procedurën Penale, transmeton Portalb.mk.

“Kodi i ri Penal po përgatitet pas tri dekadash, ndërsa së bashku me Ligjin e ri për Procedurën Penale synon të sigurojë luftë më efikase kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, procedura gjyqësore më të drejta, mbrojtje më të mirë të viktimave dhe siguri më të madhe juridike për qytetarët”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga kjo ministri shtojnë se thelbi i reformës nuk qëndron vetëm në miratimin e ligjeve të reja, por në zbatimin e tyre dhe rezultatet që duhet t’i ndiejnë qytetarët. Qëllimi, shtojnë, është krijimi i një kornize ligjore që mundëson hetime efikase, procedura gjyqësore të drejta, zbatim të barabartë të ligjit dhe përgjegjësi pa përjashtime.

“Përgatitja e Kodit të ri Penal filloi në vitin 2019, ndërsa grupi i punës i udhëhequr nga akademiku Vllado Kambovski, gjatë periudhës 2020-2026, zhvilloi konsultime të gjera me përfaqësues të gjyqësorit, komunitetit akademik, institucioneve kompetente dhe organizatave të shoqërisë civile. Në tekstin e propozuar janë përfshirë 33 direktiva relevante të Bashkimit Evropian, ndërsa gjatë konsultimeve janë shqyrtuar më shumë se 50 mendime dhe propozime”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Paralelisht është punuar edhe për Ligjin e ri për Procedurën Penale. Grupi i punës i ekspertëve, i udhëhequr nga Gordana Lazhetiq dhe i përbërë nga 25 anëtarë, përfundoi përgatitjen e tekstit në tetor të vitit 2026. Propozimi parasheh harmonizimin me 25 direktiva dhe standarde relevante evropiane.

“Ndër zgjidhjet kryesore janë avancimi i konfiskimit, hetimeve financiare, provave elektronike, masave të posaçme hetimore, mbrojtjes së viktimave, si dhe mundësitë për mbajtjen e seancave dhe administrimin e provave në distancë. Në përgatitjen e të dy teksteve ligjore mbështetje të rëndësishme ofruan partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Misioni i OSBE-së në Shkup”, thonë nga Ministria.

Reforma e legjislacionit penal duhet të sjellë ndryshime konkrete në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Vlera e saj e vërtetë do të dëshmohet përmes hetimeve më efikase, procedurave gjyqësore më të drejta, mbrojtjes më të fuqishme të të drejtave dhe sigurisë më të madhe juridike për çdo qytetar.

Një nga shqetësimet kryesore të Komisionit Evropian lidhet me ndryshimet e shpeshta të Kodit Penal. Sipas raportit, Kodi është ndryshuar tri herë brenda tre vjetësh, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë juridike. Ndryshimet e janarit 2026 për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe bashkimin kriminal nuk i kanë adresuar në mënyrë të mjaftueshme pasojat e ndryshimeve të vitit 2023. Edhe pse është rikthyer dispozita për keqpërdorimin e pozitës zyrtare në prokurimet publike, ajo ka një fushëveprim më të ngushtë se dispozita e mëparshme dhe mbulon vetëm dy baza të veprës penale.

“Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal, që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare, nuk i korrigjojnë pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023. Është rikthyer një dispozitë e veçantë për keqpërdorimin e pozitës zyrtare në prokurimet publike, por me një fushëveprim shumë më të ngushtë sesa ai që kishte para vitit 2023. Vepra penale mbulon vetëm dy baza, gjë që është tepër e kufizuar për të trajtuar manipulimet e tjera serioze procedurale gjatë procesit të tenderimit dhe për këtë arsye duhet të zgjerohet. Ndryshimet gjithashtu nuk e adresojnë në mënyrë të mjaftueshme ndikimin e ndryshimeve të vitit 2023 në afatet e parashkrimit”, thekson raporti.