Kurti dhe Durmishi shpalosën detaje për projektin e rrugës Tetovë – Prizren

Në vizitën e tij në fshatin Vicë të Tetovës, zëvendësministri i infrastrukturës në Qeverinë e Kosovë, Hysen Durmishi, ka dhënë detaje të projektit që lidh Tetovën dhe Prizrenin, transmeton Portalb.mk.

“Variantin të cilin e kemi përzgjedhur me tunelin më të gjatë, me 6.4 kilometra. Arsyeja është që kjo rrugë të mund të funksionojë edhe në kushte të vështira të dimrit, kur ka reshje të mëdha të borës. Kemi shkuar variantin me tunelin më të gjatë, por me lartësinë mbidetare më të ulët”, deklaroi zëvendësministri nga Kosova, Hysen Durmishi.

Ai sqaroi që dalja e tunelit që lidh Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën do të jetë në Manastiricë, për të vazhduar pastaj në autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Ne në Kosovë e kemi hartuar edhe projektin kryesor nga dalja e tunelit deri në kyçje me autostradën “Ibrahim Rugova”, 22 kilometra rrugë, në mënyrë që kur të ndërtohet tuneli, kur të ndërtohet rruga, mos të ngarkohet hyrja e qytetit të Prizrenit”, sqaroi Durmishi.

Ai sqaroi që ky variant do të jetë i mirë për qytetarët që nuk e kanë qëllim Prizrenin, por Prishtinën ose Tiranën.

Albin Kurti shtoi që kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, janë të interesuar që sa më shpejtë të realizohen ky projekt.

“Në bazë të llogaritjeve, nuk është ndonjë kosto e lartë, është një kosto e përballueshme. Por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, pasi shkurtohet rruga dhe fitohet koha.”, deklaroi Kurti.

Ai në mbrëmje sqaroi që kostoja e kësaj rruge do të jetë 200 milionë euro, ashtu që 3/4 pjesë e shpenzimeve janë për tunelin, duke theksuar që ky tuneli i gjatë 6.4 kilometra është më i madh se ai i Kalimashit. Kurti sqaroi që këto shpenzimet janë për tunelin dhe hyrje- daljen e tunelit, duke shtuar që në dy pjesët e tunelit do të ketë rrugë nga 15 kilometra.

Ndryshe, sot në Çari dhe Tetovë realizoi vizitë zyrtare kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar Komunën e Çairit me rastin e përurimit të rrugës “Adem Demaçi”, që paraprakisht është quajtur “Brigada e Maqedonisë”. Në Tetovë së bashku me kryetarin e Tetovës, Bilall Kasamin, ka përuruar projektin që lidh Tetovën dhe Prizrenin.

10 gusht të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut ishte për vizitë pune zëvendësministri për infrastrukturë i Republikës së Kosovës, Hysen Durmishi, i cili theksoi që rruga Prizren-Tetovë ishte një nga arsyet e vizitës.

“Biseduam për tema të shumta që lidhen me punën dhe bashkëpunimin në mes dy ministrive tona por me theks të veçantë për projektin madhor të rrugës Prizren – Tetovë”, njoftoi Durmishi.

Zëvendësministri i transportit dhe lidhjeve në Maqedoninë e Veriut, Bekim Rexhepi, ishte përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut që e priti Durmishin.

Më 17 shtator të vitit 2022 kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti nënshkruan “Memorandum për Mirëkuptim” në lidhje rrugën e premtuar Tetovë-Prizren, e cila tani e dhjetë vite po premtohet. Portalb.mk, ka siguruar dokumentin origjinal të memorandumit, i cili i përmban 6 nene.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në takimin me Ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florijan Qehaja, në gusht të vitit 2022 kishte paralajmëruar që deri në fund të vitit 2022 do të zhvillohet mbledhja e dytë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky takim nuk u realizua.