Festivali “Moisiu” në Shkup: Për një javë do jepen dhjetë shfaqje me mbi 100 aktorë

Edicioni i katërt i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu” do të mbahet nga 16 deri më 22 nëntor në Teatrin Shqiptar në Shkup. Programi përfshin dhjetë shfaqje nga trupa teatrore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Preshevës, me pjesëmarrjen e më shumë se 100 aktorëve, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup, Ismet Ramdani, në konferencën e sotme për media, prezantoi programin e këtij edicioni dhe pritjet për pjesëmarrjen e publikut.

“Do të mirëpresim trupa të ndryshme teatrore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në festival do të marrin pjesë më shumë se 100 aktorë, ndërsa publiku do të ketë mundësi të ndjekë gjithsej dhjetë shfaqje të zhanreve të ndryshme, të cilat besoj se do t’u përgjigjen pritshmërive dhe shijeve artistike të publikut. Çdo mbrëmje do të ketë së paku një shfaqje, ndërsa në disa mbrëmje do të prezantohen nga dy, në orën 18 dhe 20”, tha Ramdani.

Ai theksoi rëndësinë e festivalit për jetën kulturore shqiptare dhe simbolikën e mbajtjes së tij gjatë festave të nëntorit.

“Festivali ‘Moisiu’ është, pa dyshim, një nga ngjarjet më tërëndësishme kulturore të këtij viti për ne si shqiptarë. Kjo ngjarje merr edhe më shumë kuptim simbolik, duke qenë se zhvillohet gjatë nëntorit, në muajin e festave tona. Uroj që ky festival të shndërrohet në një festë të vërtetë të artit dhe kulturës, me pjesëmarrje të gjerë të publikut, ku të gjithë së bashku të shijojmë vlerat artistike që do të na sjellin teatrot pjesëmarrëse nga rajoni. Për këtë edicion kemi siguruar gjithsej dhjetë shfaqje, të cilat do të jenë pjesë e programit të festivalit”, u shpreh Ramdani.

Në konferencë u bë e ditur se mbështetj financiare për festivalin do të jetë dy milion denarë (rreth 32 mijë euro).

Juria e këtij edicioni përbëhet nga aktorja Anila Disha, Osman Ahmeti dhe Shkëlzen Veseli. Në përfundim të festivalit do të ndahen shtatë çmime.

Festivali hapet më 16 nëntor, në orën 20, me shfaqjen “Drejtësi në Nurenberg” të Teatrit Kombëtar të Tiranës, me regji të Arben Kumbaros.

Më 17 nëntor, në orën 18, në skenën e vogël do të jepet “Amour” nga Teatri Bylis i Fierit, me regji të Besmir Bitrakut. Në orën 20, në skenën e madhe, do të shfaqet “Pylli” i Teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, me regji të Erson Zymberit.

Më 18 nëntor, në orën 20, në skenën e vogël do të jepet “Sytë e ujkut” nga Integra e Prishtinës, me regji të Kushtrim Koliqit.

Programi i 19 nëntorit nis në orën 18, në skenën e vogël, me “Duke pritur Godonë” të Teatrit “Trajko Prokopiev” të Kumanovës, me regji të Qëndrim Rijanit. Në orën 20, në skenën e madhe, do të jepet “Hamleti” i Teatrit Metropol të Tiranës, me regji të Jonida Beqos.

Më 20 nëntor, në orën 18, në skenën e vogël do të shfaqet “Mytma burrin” e Teatrit të Qytetit të Preshevës, me regji të Kastriot Saqipit. Në orën 20, në skenën e madhe, Teatri i Tetovës do të paraqitet me “Magjistarin e Ozit”, me regji të Kushtrim Bekteshit.

Më 21 nëntor, në orën 20, Teatri Kombëtar i Kosovës do të sjellë shfaqjen “Romeo dhe Xhulieta”, me regji të Ilir Bokshit.

Festivali përmbyllet më 22 nëntor, në orën 20, me “Përtej hekurave” të Teatrit Shqiptar të Shkupit, me regji të Naser Shatrollit.

Organizatorë janë Teatri Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar i Tiranës dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. Festivali realizohet me përkrahjen e ministrive përgjegjëse për kulturën të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe të mbështetësve të tjerë.