KE: Gjuha e urrejtjes në RMV përhapet kryesisht në rrjetet sociale, institucionet me kapacitete të pamjaftueshme për ta luftuar

Gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi vazhdojnë të jenë sfida serioze në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në hapsirën online. Korniza ligjore dhe institucionale për luftimin e këtyre dukurive mbetet e paplotë, ndërsa mungon mbledhja sistematike e të dhënave për rastet e gjuhës së urrejtjes. Këto janë disa nga vërejtjet e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2026, shkruan Portalb.mk.

Sipas raportit, sektori i mediave online vazhdon të përballet me dezinformim, veçanërisht me përmbajtje që lidhen me gjininë dhe identitetin, si dhe me gjuhë të urrejtjes.

Komisioni Evropian vlerëson se zbatimi i legjislacionit ekzistues duhet të përmirësohet, ndërsa kapacitetet e institucioneve për trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të motivuara nga urrejtja duhet të forcohen.

“Korniza ligjore dhe institucionale për luftimin e racizmit dhe veprave penale të motivuara nga urrejtja mbetet e paplotë. Zbatimi dhe respektimi i saj duhet të përmirësohen”, thuhet në raport.

KE-ja kërkon harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit vendor me standardet evropiane, përfshirë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) për gjuhën e urrejtjes dhe adresimin pa vonesë të gjetjeve të raportit të shtatorit 2023.

Një tjetër problem që theksohet është mungesa e mbledhjes sistematike të të dhënave nga institucionet shtetërore, ndërkohë që monitorimi dhe dokumentimi i rasteve vazhdon të bëhet në mënyrë të pavarur nga organizatat e shoqërisë civile.

Sipas të dhënave të këtyre organizatave, gjatë vitit 2025, rastet e dyshuara të gjuhës së urrejtjes më së shpeshti lidheshin me përkatësinë etnike, orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

“Interneti dhe rrjetet sociale janë shndërruar në platformat dhe burimet kryesore të gjuhës së urrejtjes”, thekson Komisioni Evropian.

Në këtë drejtim, KE-ja rikujton se Maqedonia e Veriut ende nuk e ka ratifikuar Protokollin nr. 2 të Konventës për Krimin Kibernetik, i cili do t’u mundësonte autoriteteve identifikimin më efektiv të personave që qëndrojnë pas profileve dhe grupeve në rrjetet sociale.

Raporti gjithashtu paralajmëron për përhapjen e narrativave kundër barazisë gjinore, të cilat ndikojnë në debatin publik dhe diskutimet për politikat shtetërore. Gratë që mbrojnë të drejtat e njeriut vazhdojnë të jenë cak i gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve, sidomos në internet.

Raporti ndër të tjera thekson se gjuha e urrejtjes është e përhapur veçanarisht ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.