Ministrja e Punëve të Jashtme e Kanadasë: Amendamentet kushtetuese të miratohen sa më parë

Ministrja e Jashtme e Kanadasë – Melani Zholi ndodhet për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Ajo sot takoi kryeministrin, ministrin e Jashtëm si dhe ministren e Mbrojtjes. Mesazhet kryesore që ajo përcolli nga takimet ishte qëndrimi se  duhet të votohen amendamentet kushtetuese pasi janë konfirmim i multikulturalizmit në vend, transmeton Portalb.mk.

Takimi Kovaçevski – Zholi

Në këtë takim siç informoi Qeveria, u theksua besimi se vizita dhe bisedimet e sotme do t’i japin shtysë të re forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, veçanërisht për faktin se është vizita e parë e një ministri të Jashtëm kanadez në vendin tonë.

Në takim, kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme nga Kanadaja në drejtim të realizimit të proceseve reformuese për të siguruar përparimin e vendit tonë në drejtim të integrimeve evropiane.

“Ne e vlerësojmë thellësisht partneritetin me Kanadanë si aleate të NATO-s dhe do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi”, tha Kovaçevski.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Zholi, shprehu mbështetje të fuqishme që vendi të vazhdojë në rrugën e integrimeve evropiane, për të cilin ka mbështetje dhe interesim të qartë nga ana e Kanadasë. Në të njëjtën kohë, ministrja Joli theksoi se sot më shumë se kurrë bota perëndimore duhet të jetë e bashkuar dhe Maqedonia e Veriut, si pjesë përbërëse e saj, e tregon këtë duke ndarë të njëjtat vlera dhe angazhime.

Në takim u theksua edhe forcimi i lidhjeve ekonomike ndërmjet Kanadasë dhe Maqedonisë së Veriut.

Takimi mes ministres së Jashtme të Kanadasë – Melani Zholi dhe kryeministrit të RMV-së - Dimitar Kovaçevski. Foto: Qeveria e RMV-së
Takimi mes ministres së Jashtme të Kanadasë – Melani Zholi dhe kryeministrit të RMV-së – Dimitar Kovaçevski. Foto: Qeveria e RMV-së

Takimi Osmani – Zholi

Osmani dhe Zholi shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe me theks në bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet e biznesit dhe shkëmbimin tregtar, ndërsa përshëndetën rolin dhe kontributin e rëndësishëm të diasporës sonë në Kanada në këtë kontekst. Njëherazi, Osmani e informoi Zholin për dosjen europiane të Maqedonisë së Veriut, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme kanadeze për procesin tonë të integrimit europian.

“Kemi pasur takim vërtet produktiv ku kemi hapur çështje të rëndësishme për marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat disa vite më parë i kemi ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. E vlerësojmë veçanërisht këtë vizitë, e cila vjen në një moment vendimtar për të ardhmen evropiane të vendit. Kanadaja, si mik dhe partner i sinqertë, e mbështet fuqimisht perspektivën tonë evropiane dhe anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian dhe dua t’ju falënderoj publikisht për mbështetjen e përgjithshme kanadeze për proceset reformuese, për rrugën tonë të integrimit evropian, e cila u riafirmua edhe në bisedimet e sotme”, tha Osmani.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në nivel shumëpalësh, si dhe për aktivitetet në kuadër të kryesimit tonë me OSBE-në. Njëherit, u shkëmbyen mendime për aleancën brenda NATO-s, me fokus mbështetjen e fortë për Ukrainën, si dhe përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Kontribuojmë së bashku në forcimin e Krahut Lindor të NATO-s dhe këtu do të doja ta theksoja pjesëmarrjen e ushtarëve tanë në Prezencën e Përparuar të Përforcuar në Letoni, si pjesë e kontigjentit slloven, ku Kanadaja është komb kornizë. Një bashkëpunim i tillë në grupet luftarake multinacionale flet për kontributin tonë aktiv në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme transatlantike, sot kur të gjitha vendet anëtare të NATO-s përballen me sfidat e agresionit ushtarak rus”, tha Osmani.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë – Melani Zholi dhe ministri i Jashtëm i RMV-së - Bujar Osmani. Foto: Profili zyrtar në Facebook i Bujar Osmanit
Ministrja e Jashtme e Kanadasë – Melani Zholi dhe ministri i Jashtëm i RMV-së – Bujar Osmani. Foto: Profili zyrtar në Facebook i Bujar Osmanit

Takimi Petrovska – Zholi

Ndërkohë në takimin me ministren Sllavjanka Petrovska u bisedua për bashkëpunimin maqedono-kanadez në mbrojtje, si dhe për përkushtimin e të dyja vendeve në forcimin e sigurisë kolektive të NATO-s, nëpërmjet pjesëmarrjes në forcat shumëkombëshe të Aleancës së Krahut Lindor.

“Agresioni rus kundër Ukrainës dhe shpërfillja e plotë e rendit juridik ndërkombëtar të vendosur na tregoi se ne duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë dhe të përkushtuar në mbrojtjen e vlerave tona – demokracisë, lirisë dhe sovranitetit tonë. Falë aleatëve tanë kanadezë, nën udhëheqjen e të cilëve pjesëtarët e ushtrisë maqedonase dhe aleatët e tjerë në kuadër të forcave shumëkombëshe të NATO-s në Letoni e forcojnë sigurinë e të gjitha anëtarëve të NATO-s”, tha Petrovska.

Ministrja e Punëve të Jashtme kanadeze, Zholi theksoi se Kanadaja e vlerëson lart pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni dhe tha se ata janë pjesë e rëndësishme e sigurisë kolektive të Aleancës dhe sigurinë e të gjitha shteteve anëtare.

Zholi theksoi se megjithëse Kanadaja nuk është anëtare e BE-së, ajo është e bindur plotësisht se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, si e vetmja mënyrë për të konsoliduar stabilitetin, përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit transatlantik. Zholi përshëndeti qëndrimin e ministres se amendamentet kushtetuese duhet të miratohen menjëherë sepse ato përfaqësojnë konfirmimin e multikulturalizmit në vend dhe Kanadaja si një vend multikulturor e kupton dhe e mbështet këtë. Përkrahja e amendamenteve kushtetuese nuk do të thotë votim pro apo kundër Qeverisë, por mbështetje për Maqedoninë – tha Petrovska.

Sllavjanka Petrovska dhe ministrja kanadeze e MPJ-së Melanie Zholi. Foto: Ministria e Mbrojtjes
Sllavjanka Petrovska dhe ministrja kanadeze e MPJ-së Melanie Zholi. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Përndryshe, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka zhvilluar sot edhe një bisedë telefonike me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau. Në bisedë u trajtuan disa tema që synojnë thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin brenda NATO-s dhe skenën shumëpalëshe. Të dyja palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.