Antikorrupsioni zbuloi dy banesa të padeklaruara dhe një veturë të Fatmir Arifit, drejtor i Inspektoratit për ndërtimtari

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), duke ndjekur gjendjen pasurore të Fatmir Arifit, drejtor i Inspektoratit shtetëror për ndërtimtari dhe urbanizëm, në posedim të tij ka zbuluar pasuri të padeklaruar – banesë në lagjen Hekurana, banesë në Çair dhe veturë Ford Mondeo me vlerë 18000 euro. Atikorrupsionerët do të kërkojnë përgjegjësi penale dhe shkarkimin e drejtorit Arifi nga Qeveria, e cila e ka emëruar, transmeton Portalb.mk.

Sipas të gjeturave të KSHPK-së, Arifi nuk i ka deklaruar dy banesat dhe veturën në fletën e anketimit. Për këtë ai ka paguar një gjobë prej 150 eurosh, por aktivitetet e mëtutjeshme të Komisionit Kundër Korrupsionit kanë ardhur deri në atë se si Arifi i ka siguruar paratë për të blerë pronën që nuk e ka deklaruar.

Ai u thirr në pyetje dhe nuk arriti të provonte se me rrogën e tij mund të kishte blerë dy apartamentet dhe makinën.

“Z. Arifi është përgjigjur se është i angazhuar në shitjen e veturave dhe se një banesë e ka fituar duke e ndërruar veturën me banesë, për të cilën ka pohuar se kishte deklaratë noteriale dhe se do të jepte dokumentacion për të njëjtën. Më 14 gusht ka dorëzuar disa kontrata shitblerje të pasurive të paluajtshme të vërtetuara në noter dhe vendim për përcaktimin e gjendjes juridike të një objekti pa leje, por jo për pasurinë e paluajtshme konkrete. Nga këqyrja e të dhënave në banka dhe institucione të tjera financiare për të emëruarin dhe familjarët e tij, rezulton se i emëruari nuk ka të ardhura të tjera përveç pagës dhe nuk ka paraqitur asnjë dëshmi për origjinën e parave”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit.

Ajo thotë se në këtë rast nuk është dëshmuar se prona është blerë me para që janë raportuar dhe tatuar, andaj KShPK-ja do të kërkojë që prokuroria ta ndjekë atë për fitim të paligjshëm të pronës dhe do të kërkojë nga Qeveria shkarkimin e tij.

Funksionarët do të vazhdojnë të kenë hapësirë më të madhe për ta fsheur pasurinë edhe për një periudhë të pacaktuar, pasi ligji për prejardhjen e pronës.

Grupi formal punues për përgatitjen e propozim-ligjit për prejardhjen e pronës në procedurë civile ka mbajtur sot mbledhjen e parë më 15 gusht, në të cilën është rënë dakord për dinamikën intensive të punës në muajin e ardhshëm.

Nga Qeveria njoftuan se qëllimi është përgatitja e një zgjidhjeje deri në mes të shtatorit, e cila do t’i dërgohet për mendim Bashkimit Evropian dhe Komisionit të Venecias.

Në këtë drejtim, zëvendëskryeministrja përgjegjës për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, e cila kryeson këtë grup punues, theksoi se është e rëndësishme që shteti ta miratojë këtë ligj sa më shpejt, sepse do të përfaqësojë vlerë të shtuar në luftimin e korrupsionit.