BE-ja e shqetësuar për votimin e mundshëm të Ligjit për Specialen në seancën e së premtes

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ngritur shqetësimin për votimin e mundshëm të Ligjit për ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili pritet të ndodhë në seancën e së premtes, raporton Koha.net.

Në një njoftim në Facebook, BE-ja ka thënë se ndryshimet në ligj ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Ndryshimet ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në njoftim.

BE-ja tutje ka deklaruar se që nga kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, janë angazhuar aktivisht për t’ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë autoriteteve të Kosovës. 

Kjo, sipas BE-së, përfshin nevojën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Derisa e kanë shpërndarë reagimin, Ambasada Gjermane ka deklaruar se i mbështetë plotësisht shqetësimet e Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me votimin e mundshëm të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me mundësinë e votimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thueht në njoftimin e Ambasadës.

Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë ka ngritur shqetësimin për votimin e mundshëm të Ligjit për Specialen në seancën e nesërme.

“Ndryshimet e propozuara ngrehin shqetësime serioze lidhur me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrehin shqetësime sa i përket kushtetutshmërisë së tyre”, thuhet në reagim.

Ambasada potencon se duhen konsultime paraprake para çdo miratimi, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar. Ligji aktual nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, të martën e  javës së kaluar gjatë prezantimit të raportit të progresit ka deklaruar se Kosova edhe me miratimin e ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale ka paraqitur pengesa në procesin e saj të integrimeve evropiane derisa ka potencuar se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet e saja edhe rreth kësaj çështjeje. Ajo ka thënë se për këtë ligj janë në bisedime me Qeverinë e Kosovës.

Ligji për Specialen ka hyrë në rendin e ditës së seancës së sotme me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votohet rrëzimi i vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula, për Ligjin për Specialen.

Ajo ka thënë se zotohet që të hënën PDK-ja do ta sjell nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjë ndryshimet e Ligjit në fjalë.

“Kërkoj që ta miratohet ligji sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi për të treguar seriozitet t’i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht që të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e Ligjit në fjalë”, ka deklaruar Çitaku gjatë seancës së Kuvendit.

Meqë seanca e sotme nuk ka vazhduar, pikat e mbetura do të shqyrtohen në seancën e nesërme.