‘Gabuat nëse menduat se u ndalëm’: Studentët përgatiten për protestën e radhës për provimin e jurisprudencës në shqip
Derisa nga institucionet nuk ka ‘haber’ dhe zgjidhje konkrete që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe përveç maqedonishtes, studentët kanë filluar përgatitjet për protestën e radhës e cila pritet të mbahet së shpejti, raporton Portalb.mk.
Studentët shqiptarë kanë filluar takime me kolegët e tyre nëpër qytet të ndryshme në vend, së fundmi ishin në Kumanovë ndërsa nesër do jenë në Strugë, me qëllim që protesta e radhës të jetë më e madhe.
Mevlan Ademi, njëri nga nismëtarët e protestës i tha Portalb.mk se qëllimi i tyre është të njihemi më shumë me kolegët, të këshillohen mes vete dhe së bashku ta vazhdojnë këtë rrugëtim.
“Mbi të gjitha, po përgatitemi për protestën e radhës. Besojmë se gjatë ditëve në vijim do të mbahet protesta e dytë. Edhe një muaj pas protestës së parë, ende nuk kemi pranuar asnjë informatë konkrete se kur do të zgjidhet kërkesa jonë apo si do të procedohet më tej. Nuk kemi pranuar asnjë përgjigje nga institucionet, përveç reagimit të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët dukeshin më të shqetësuar për përdorimin e flamurit të Maqedonisë së Veriut sesa për problemin real që kemi ngritur”, tha Ademi.
Ai tha se deri më sot nuk kanë asnjë afat kohor se kur mendohet të përfundojë kjo çështje dhe se nuk shohin asnjë progres në zbatimin e të drejtës qytetare.
“E drejta vazhdon të na shkelet, ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin”, tha Ademi.
Afat konkret nuk ka as nga Qeveria e vendit se kur dhe si do ta zgjidh këtë çështje, nga aty nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk.
Ndërkaq, Bilall Kasami – bashkëkryetar i tani më partisë VLEN tha për Portalb.mk se janë të angazhuar për ta zgjidhur këtë problem, por pa dhënë afat kohor se kur.
“Jemi duke analizuar zgjidhjen e këtij problemi, nuk është i thjeshtë është problemi pak më kompleks sepse nuk bëhet fjalë vetëm për provimin e jurisprudencës, por bëhet fjalë për një sërë provimesh që jepen për përgatitje profesionale, bëhet fjalë për provimin e avokatëve, kontabilistëve, noterëve, pra të gjitha profesionet që kanë provim profesional do duhet që kjo çështje të rregullohet që ai të mbahet në gjuhën amtare”, tha Kasami.
Mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë më 6 prill 2026 protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdoi të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.
Pas protestës, kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria po punon për zgjidhje ligjore, ndërkaq tha se protesta pati konotcion politik dhe përpjekje për destabilizim. Për këtë, reagoi Bujar Osmani nga BDI duke thënë se ka informuar ndërkombëtarët se qeveria tenton të shtrembërojë protestën.
Kronologjia e ngjarjes
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.
Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.
Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.
Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por parashtroi ankesë ndaj këtij vendimi.
Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.
Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.
Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
- LEXO: Studentët protestuan: Ministër Filkov mos rri në dritare! Respektoni ligjin dhe të drejtën e studentëve shqiptarë (VIDEO)
- LEXO: Ministria e Drejtësisë nuk ‘dorëzohet’: S’ka provim të jurisprudencës në shqip, në protestë nuk pati simbole shtetërore
- LEXO: Jurisprudenca: Derisa studentët protestojnë në rrugë Mickoski vazhdon me premtime për zgjidhje, Osmani i BDI-së alarmoi faktorin ndërkombëtar