Duke lundruar me jahtin luksoz dhe duke notuar në ujërat shqiptare të Detit Jon, zonja Trump, e bija dhe dhëndri i presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump, u shprehën të lumtur: “E gjetëm këtë ishull të humbur, me natyrë të virgjër, pelikanë me këmbë të shkurtra dhe sqep të gjatë. Na pëlqeu dhe do të investojmë.” Përshkrimin për pelikanët ndoshta nuk e kanë thënë, por kur t’i gjejnë gjatë gjuetisë së sipërmarrësve në Zvernec apo rreth tij, bashkë me investitorët izraelito-arabë, besoj se do ta thonë.
Me të mbërritur lajmi për këtë ishull në veshët e qeverisë në Tiranë, ajo, me entuziazëm dhe aprovim të menjëhershëm, ua rregulloi letrat bashkëshortëve Trump. Kur themi “letrat”, kemi parasysh procedura të përshpejtuara, pa burokraci, gati euforike, pa ato shqetësimet për bretkosat, zhapinjtë, flamingot, mbrojtjen e florës dhe faunës, apo normat kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës. Në çdo rast tjetër, po të mos ishin miliardat dhe mbiemri Trump, një investitor shqiptar apo ballkanik do të përballej me pengesa të panumërta. Përkundrazi, qeveria në Tiranë e pa këtë si një fat të ardhur në derë, si një investim për imazhin e turizmit shqiptar dhe, kuptohet, për afërsinë me administratën Trump.
Politika e Shqipërisë pas rënies së komunizmit ka pasur pothuajse gjithmonë një aprovim dhe arsyetim, shpesh absurd, të politikave dhe interesave amerikane, edhe kur ato kanë qenë në kundërshtim me logjikën e shëndoshë. Ndoshta kjo është pasojë e traumës dhe vuajtjeve pesëdhjetëvjeçare nën komunizmin më të egër të Evropës. Një popull, ashtu si një individ, priret të përqafojë të kundërtën e asaj që i ka shkaktuar traumë. Amerika është sinonim i luftës kundër komunizmit.
Prandaj ky entuziazëm dhe kjo mbështetje proamerikane e politikës nga Tirana, edhe në kohën kur SHBA-ja mbështet luftën në Gaza, është një qasje që shumë shqiptarë e konsiderojnë të pakuptueshme. Për një pjesë të shqiptarëve të Shqipërisë, kjo shihet si servilizëm i verbër. Edhe për shumë shqiptarë të Kosovës kjo qasje ngre pikëpyetje, ndonëse SHBA-ja ishte faktori vendimtar në ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë.
Besoj se biem dakord që protestuesit e revoltuar shqiptarë nuk janë kundër zhvillimit turistik apo investimeve miliardëshe. Ata janë të shqetësuar për investimet e mëdha që realizohen duke anashkaluar procedurat ligjore dhe zonat e mbrojtura të natyrës, si edhe për rrezikun e pastrimit të parave të pista. Duke qenë se mafia shqiptare konsiderohet ndër më të fuqishmet në Evropë, shtetet e Ballkanit shihen si më të cenueshme ndaj këtij fenomeni. Kjo është një betejë e vazhdueshme për çdo qeveri në Tiranë, sepse krimi i organizuar, me fitimet e tij të mëdha, përpiqet të ndikojë mbi politikën, administratën dhe shoqërinë civile. Aty ku nuk mund të blejë, kërcënon.
Për këtë arsye protestuesit, të majtë e të djathtë, me ose pa përkatësi partiake, i druhen shkatërrimit të bregdetit, siç pretendojnë se ka ndodhur në Palasë, me një betonizim pa estetikë dhe pa respekt për mjedisin. Brenda kësaj proteste, shumë shqiptarë shprehin edhe indinjatën e tyre ndaj mbështetjes që kryeministri i vendit i jep qeverisë izraelite, në një kohë kur çështja e luftës në Gaza ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare.
Protestuesit shqiptarë në Tiranë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, si nga Shkupi, Tetova, Prishtina, Mitrovica e diaspora, synojnë t’i japin botës mesazhin se nuk pajtohen me politikat e qeverisë shqiptare dhe se nuk mbështesin krimet ndaj civilëve, pavarësisht premtimeve për investime miliardëshe. Kjo qasje, sipas tyre, ka sjellë jehonë ndërkombëtare me tituj që theksojnë solidaritetin e shqiptarëve me popullin palestinez.
Nga ana tjetër, reagimi i qeverisë ndaj protestuesve, duke kërkuar armiq imagjinarë si në kohën e komunizmit dhe duke përmendur ndikime ruso-iraniane apo kineze, është parë nga shumëkush si një qasje e tepruar. Po ashtu, përfshirja në debat e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, apo polemikat për të kaluarën e pjesëmarrësve në protestë, e largojnë vëmendjen nga pyetja kryesore: pse protestojnë shqiptarët kaq masivisht dhe çdo ditë?
Ana tjetër e medaljes së kësaj proteste masive dhe këmbëngulëse është mungesa e një alternative politike për të marrë pushtetin dhe për të realizuar rotacionin pas një qeverisjeje kaq të gjatë të kryeministrit Rama. Ekziston një logjikë e thjeshtë: nuk mund të kërkosh ndihmë nga ujku për të shpëtuar nga qeni. Nuk mund të kërkosh ndihmë nga Berisha për të zëvendësuar Ramën. Sipas këtij këndvështrimi, Berisha është konsumuar politikisht dhe ka dëshmuar se interesin personal dhe familjar e vendos mbi interesin e partisë dhe të vendit. Për pasojë, ai shihet si pengesë për krijimin e një opozite të re dhe më bindëse.
Pa një Parti Demokratike të reformuar, është e vështirë të imagjinohet një ndryshim pushteti. Ata që besojnë se nga protestat do të lindë menjëherë një forcë e re politike e udhëhequr nga intelektualët, mund të zhgënjehen. Intelektualët janë të shpërndarë në të gjitha sferat e shoqërisë dhe secili ka rolin e vet.
Qëndrimi i gjatë në pushtet priret ta kriminalizojë strukturën shtetërore, pavarësisht rezultateve të qeverisjes. Kjo lidhet me realitetin e shoqërive tona ballkanike, me kulturën e korrupsionit dhe me institucionet ende të brishta të drejtësisë. Për këtë arsye, rotacionet politike janë të dobishme, sepse shkëpusin lidhjet e krijuara mes pushtetit dhe interesave klienteliste.
Protestat nuk janë gjithmonë garanci për ndryshim politik, por janë gjithmonë tregues se një pjesë e shoqërisë nuk pranon të heshtë. Shqipëria ka nevojë për rotacion politik, por po aq ka nevojë për një opozitë të besueshme. Vetëm atëherë protesta mund të shndërrohet në ndryshim, e jo vetëm në revoltë.