ANALIZË: Për pesë muaj janë realizuar 38,5% e shpenzimeve kapitale, ritëm “zvarritës” në disa ministri (Infografik)

Për pesë muaj, realizimi i shpenzimeve kapitale ka arritur në 38,35%, tregojnë të dhënat më të fundit nga Ministria e Financave. Pikërisht në Ministrinë e Financave, funksioni i shtetit, prej nga ‘injektohen’ mjetet financiare për investime publike në nivel qendror dhe lokal, realizimi arrin në nivel simbolik prej 6,36%. Disa nga ministritë me buxhete më të larta për investime kapitale nuk kanë realizuar as një të tretën e planit, ndërsa disa ministri të tjera kanë shënuar realizim mbi 50%, shkruan analiza ekonomije javore e Portalb.mk.

“Renditja”, cilat ministri sa para shpenzuan për shpenzime kapitale

Ministria e Financave, funksionet e shtetit, prej nga injektohen mjetet për shpenzime kapitale si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, në fund të muajit maj ka shënuar një realizim të papërfillshëm prej vetëm 6,36% të mjeteve të planifikuara në nivel vjetor. Konkretisht, ky dikaster, sipas planeve aktuale buxhetore, për shpenzime kapitale ka në dispozicion 37.820.000 euro, ndërsa prej tyre, gjatë pesë muajve të parë të vitit, janë shpenzuar vetëm 2.405.066 euro.

Ndërkaq, Ministria e Kulturës gjatë pesë muajve të parë ka realizuar vetëm 9,7% të shpenzimeve kapitale.

Ministria e Mbrojtjes, e cila sipas Buxhetit aktual ka në dispozicion gati 150 milionë euro për shpenzime kapitale, deri në fund të muajit maj ka realizuar vetëm 25,43% të planit vjetor, ose rreth 37.655.000 euro.

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë pesë muajve të parë, në bazë të investimeve kapitale, ka shpenzuar 10.203.000 euro, që përfaqëson një realizim prej 39,06% të planit.

Edhe Ministria e Mjedisit Jetësor, e cila këtë vit sipas planit aktual buxhetor ka marrë madje 67.600.000 euro, deri në fund të muajit maj ka shpenzuar vetëm 16.581.000 euro, ose 24,53% të mjeteve të planifikuara.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në grupin e dikastereve që gjatë pesë muajve kanë arritur të realizojnë rreth një të tretën ose më pak të planit vjetor për investime kapitale, bëjnë pjesë Ministria e Drejtësisë me 20,62% dhe Ministria e Punëve të Jashtme me 10,76%.”

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe dy dikastere me shuma më të larta për shpenzime kapitale: Ministria e Arsimit, e cila ka në dispozicion 36.500.000 euro, deri në fund të majit ka arritur një realizim prej 30,03%, ndërsa Ministria e Shëndetësisë, nga buxheti i përgjithshëm prej 6.666.000 euro, ka shpenzuar 31,56%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Realizim prej mbi 50% kanë shënuar disa dikastere, mes të cilave edhe të tilla që menaxhojnë projekte infrastrukturore.

Ministria e Transportit, nga shpenzimet totale kapitale në vlerë prej gati 200.000.000 euro, për pesë muaj ka shpenzuar 132.769.838 euro, që paraqet një realizim prej 67% në raport me planin vjetor.

Realizimi i shpenzimeve kapitale në Ministrinë e Bujqësisë arrin në 55,83%, ndërsa pothuajse 50% realizim ka shënuar edhe Ministria e Politikës Sociale dhe Demografisë, me 3.155.000 euro të shpenzuara. Ministria e Sportit ka realizuar 58,6% të shpenzimeve kapitale, ndërsa Ministria e Administratës Publike 85,85%.

Disa nga institucionet në nivel shtetëror, gjatë pesë muajve, kanë shënuar rezultate të papërfillshme në realizimin e shpenzimeve kapitale.

Kështu, Kuvendi i RMV-së ka shënuar një realizim prej vetëm 3,36%, edhe pse ka në dispozicion rreth 4.200.000 euro për këtë qëllim.

Disa agjenci dhe drejtori, për pesë muajt e parë, nuk kanë shpenzuar asnjë denar nga shuma vjetore e planifikuar për investime kapitale.