ANALIZË: Në vitin 2025 sektori publik u “forcua” me gati 2.500 punësime të reja, 72,3% maqedonas dhe 21,7% shqiptarë (Infografik)
Nga institucionet në nivel shtetëror, pjesëmarrjen më të lartë të shqiptarëve, me afro 40%, e ka Avokati i Popullit. Përqindja më e ulët, prej 12,73%, është te Presidenti i shtetit. Në nivel ministrish, 66,35% e të punësuarve janë maqedonas, 26,03% shqiptarë, ndërsa pjesëtarët e komuniteteve të tjera përfaqësohen me më pak se 3%, tregojnë të dhënat e reja nga Raporti i Regjistrit të të Punësuarve në Sektorin Publik për vitin 2025, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Numri i të punësuarve në sektorin publik është rritur në nivel vjetor
Në vitin 2025, në sektorin publik në vend kanë punuar 129.793 persona dhe, krahasuar me gjendjen në vitin 2024, numri është rritur për 2.471 persona. Por, edhe pse numri i të punësuarve sipas përkatësisë etnike është rritur si te maqedonasit ashtu edhe te shqiptarët, pesha e tyre në përqindje është më e ulët krahasuar me vitin 2024, për shkak të rritjes sasiore të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik.
Në nivel të të gjithë sektorit publik në vend, sipas përkatësisë etnike, 72,37% e të punësuarve janë maqedonas, ndërsa 21,70% janë shqiptarë.

“Mosha mesatare më e lartë, prej 52,7 vjetësh, është te Këshilli i Prokurorëve Publikë, ndërsa mosha mesatare më e ulët, prej 40,8 vjetësh, është te Sekretariati i Qeverisë”, thuhet në raport.
Struktura etnike e të punësuarve sipas llojeve të institucioneve
Në nivel të të gjitha ministrive, maqedonasit përfaqësohen me 66,35%, ndërsa shqiptarët me 26,03%; pas tyre renditen turqit me 2,45%, serbët me 1,36% dhe romët me 1,29%, ndërsa komunitetet e tjera përfaqësohen me më pak se një përqind.
Në Qeverinë e RMV-së, përfaqësimi i maqedonasve arrin në 74,57%, ndërsa i shqiptarëve në 14,45%, kurse një pjesë e komuniteteve të tjera kanë pjesëmarrje nga 3,76% deri në 0,58%.
Ndërkaq, në Prokurorinë Publike, përfaqësimi i maqedonasve arrin në 80,04%, ndërsa i shqiptarëve në 16,12%.
Në Gjykatën Kushtetuese, 72,13% e të punësuarve janë maqedonas, ndërsa 18,03% shqiptarë, kurse në vendin e tretë renditen turqit me 4,92%.
Në organet rregullatore, 70,38% e të punësuarve janë maqedonas 23,95% shqiptarë, ndërsa 2,52% turq.

Përfaqësim më të lartë, pjesëtarët e komunitetit shqiptar, mbi 30%, e kanë te Avokati i Popullit me 39,29%; pastaj vijnë organet e pavarura profesionale, ku ata përfaqësohen me 33,33% (një pjesë e komisioneve, Arkivi Shtetëror, Enti Shtetëror i Statistikës, KSHPK-ja etj.), si dhe personat juridikë me autorizime publike, ku përfaqësimi i tyre arrin në 32,48% (odat e mjekëve, avokatëve, noterëve etj.).
Sipas llojit të institucioneve, përfaqësimi më i ulët i shqiptarëve, prej 12,73%, është te Presidenti i shtetit, ndërsa në Qeveri arrin në 14,45%. Në nivel të ministrive, përqindja më e ulët e përfaqësimit të shqiptarëve është në Ministrinë e Sportit me 12,20%, Ministrinë e Mbrojtjes me 13,79% dhe Ministrinë e Transformimit Digjital me një përfaqësim prej 14,47%.
Përfaqësimi më i lartë është në Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive Etnike me 52,47%, Ministrinë e Shëndetësisë me 43,85% dhe në Ministrinë e Ekonomisë, me një përfaqësim prej 39,86%.