Dashuria dhe urrejtja vetëm në RMV bashkëjetojnë njëkohësisht

Dukuria aktuale e pamundësisë se ndryshimit të emrave të rrugëve në përputhje me kulturën nacionale vendore vetëm e dëshmon kryeneçësinë e ruajtjes me xhelozi të trashëgimisë kulturore të epokës së komunizmit, historisë së vetme dhe të pakontestueshme të themelimit të Republikës Socialistë te Maqedonisë brenda RSFJ.

Ata që kanë jetuar në këtë periudhë dhe e kanë ndjekur historinë politike të kohës e përkujtojnë se si historiografia komuniste e asaj kohe na mësonte se VMRO gjatë LNÇ ka qenë probullgare dhe bashkëpunëtore e Nazifashizmit. Tash në kohen moderne kur regjimi komunist u rrëzua në mënyrë të pakthyeshme në shtetet e lindjes është pakëz paradoksale t‘i lakmosh me nostalgji udhëheqësit politikë të një sistemi të tillë të përçmuar diktatorial dhe të dëmshëm për historinë e vendeve të lindjes dhe të gjithë njerëzimit.

Duke bërë një analize krahasimore të teorisë politike të para dhe pas rënies së komunizmit anekënd botës, mund të konstatojmë se vetëm në vendin tone e kujtojnë ende me dashuri dhe pasion figurën e Mareshalit Tito, për të vetmen arsye se vetëm ai dhe për arsyet që i dinte vetëm ai, e themeloi RP të Maqedonise brenda RSFJ, ndër të tjerat edhe për të shërbyer si tampon zonë për frenimin e ambicjeve potenciale teritoriale të vendeve fqinje.

Deri ketu maqedonasit edhe mund të kenë ndonjë arsye të qëndrueshme politike që ta duan intimisht dhe privatisht këtë njeri, të cilin disa e donin më shume edhe se prindërit e tyre dhe e quanin Babai i Kombeve të ish RSFJ. Por ta mbrosh këtë edhe publikisht kur e gjithë bota tashmë e ka shlyer nga kujtesa historike dhe njëkohësisht të pretendosh të bëhesh pjesë e kombeve dhe vendeve që kanë vuajtur dhe kanë të kaluar të hidhur me regjimet komuniste është më se e gabuar, për vetë porosinë që e përcjell kjo ‘dashuri dhe nostalgji e flaktë‘ ndaj një regjimi aq të përçmuar në gjithë botën.

Që paradoksi të jetë më i madh këtë ë bën një parti që veten e quan trashëgimtare të VMRO-së të vlerësuar asokohe si probullgare, ithtarët e të cilës ishin të infiltruar dhe identifikuar si ‘djathtista‘ brenda Partisë komuniste, e cila sipas logjikës së vazhdimësisë historike do të duhej të kultivonte simpati, qoftë edhe të fshehura ndaj Bullgarisë së sotme, të cilës tani ia duan vetëm pasaportën sa për të dalë dhë për të gjetur punë më lehtë ne BE, por nuk duan t’ia permendin as emrin në Kushtetute, edhe me shpresën se të gjithë përfundimisht do të mund të udhëtonim dhe punonim, madje edhe të jetonim lirshëm jashtë vendit, edhe me pasaportën aktuale të RMV.

Dashuria dhe urrejtja vetëm në RMV bashkëjetojnë njëkohësisht. Vetëm këtu mund ta duash apo respektosh një person, kojshi dhe bashkëpunëtor për interesa momentale meskine, por njëkohësisht edhe ta urresh, për ekzistencën e tij dhe përkatësinë e ndryshme nacionale apo fetare.  Kjo në shkencën e Psikologjise nacionale është një temë shkencore me vehte qe vlen të studiohet thellësisht në mënyrë që të kuptohet realiteti i kohës moderne në të cilën jetojmë. Si burim historik që e shpjegon një logjikë të tillë është thënia e famshme e Akademikut dhe Ideologut serb postkomunist Dobrica Qosiq, i cili thoshte për serbët dhe sllavët në përgjithësi se janë aq të talentuar në shpikjen e gënjeshtrave, sa në fund edhe vete fillojnë ta besojnë ne ta. Por ne fund e kuptojnë rrjedhimisht se duke dashur ta gënjejnë boten, ata e kanë gënjyer edhe veten dhe gjeneratat e ardhshme, të cilat tash kanë problem me memorien kolektive.

Edhe në Maqedoni e patëm një psikologji të tille, kur dolën disa ‘shkencëtarë’ dhe thanë se emri Maqedonia antike e dëshmon edhe historinë e kombit maqedonas, edhepse pa asnjë fjalë të vetme të mbetur nga rrënjët eventuale helene të greqishtes së sotme. Na u deshtë të humbim kot dekada të tëra derisa grekët na e mbushën mendjen se kjo pjesë e historisë u takon vetëm atyre. Dorën në zemër na takon edhe neve shqiptarëve si pasardhës të ilireve, por ne si zemërgjerë që jemi dhe nga dashamirësia nuk i dolëm zot kësaj pjese të historisë sonë nacionale.

Bullgarët, si farefis të një gjaku dhe feje, e kontestojnë historinë parakomuniste të RMV, por jo atë postkomuniste të themelimit të Shtetit në vitin 1945, pa marrë parasysh se a i pelqen kjo dikujt apo jo këndej kufirit! Tash do të çojmë inat me vite edhe me këta, derisa të vijë koha të mbështetemi për muri dhe ta pranojmë edhe këtë fakt historik, nëse duam të vazhdojmë më tej!

Por në vend që të merremi shkencërisht me te vërtetën e historisë së palës bullgare, sipas të cilës, para LNÇ emri Maqedonia ka qenë vetëm një term gjeografik i një krahine ku sipas tyre dhe sipas teftereve te turqve ishin përmendur vetëm serbët dhe bullgaret, udhëheqësia e sotme politike djathtiste ka ngecur në faktet historike botërisht të paverifikuara të shekullit të kaluar, si dhe tek premtimet e dhëna ndaj votuesve se do ta kthenin kohën prapa edhe para Marreveshjes se Prespës, edhe pse vetë intimisht mund dhe duhet ta kenë ditur se kjo punë ka marrë fund dhe s’ka kthim prapa, pasi që kjo është pranuar dhe nënshkruar me Kontratë bilaterale nga përfaqësuesit të shteteve në fjalë dhe si e tillë është e obligueshme edhe për gjeneratat që vijnë dhe mund të ndryshohet vetëm me pëlqim të dy palëve.

Tash bëhet pyetja nëse edhe përfaqësuesit shtetërore të sotëm vërtet nuk e kanë ditur këtë apo janë bërë sikur nuk e kane ditur apo ndoshta edhe këta u kane besuar verbërisht ‘genjeshtrave’ të parardhesve të tyre politikë. Kjo vlen për t’u hulumtuar dhe diskutuar shkencërisht. Por edhe këtu do të kemi problem, se shkenca dhe politika nuk shkojnë bashkë. Pastaj është edhe çështja tjetër se kë duhet dëgjuar dhe kush janë më të ditur, shkencëtaret apo politikanët, se edhe këtu do të kemi problem.

Si përfundim, të sulmuar dhe mohuar nga të gjitha anët, sikur të mos na mjaftonin problemet me fqinjët, Ne mllefin dhe frustrimet tona i shfryjmë të bashkëqytetaret tanë, duke menduar se me ta do ta kemi me lehtë, edhe pse këta me numër dhe me fuqi politike mund të jenë më problematike, kur mbështeten për muri. Tash neve na pengon dhe na e ka fajin Badinteri, Balanseri, dhe ligjet që janë sjellur dhe votuar me konsensus edhe nga përfaqësuesit politikë të partisë në pushtet.

Sipas tyre, në vendin tonë ligjet e votuara dhe që mund të ndryshohen me shumicë te dyfishtë nuk vlejnë as në nivel lokal, nëse për këtë nuk e jep dhe nuk e ka dhënë pëlqimin Qeveria, pasi këta i abrogon kur të dojë Gjykata Kushtetuese, ku juridikisht mungon mekanizmi i koncensusit kur tangohen interesat nacionale të popullatës që është mbi 20%, të cilës nuk guxojmë t’ia përmendim as emrin, nga frika se mos do bënim herezi. Pa çka nëse me këtë abrogohet edhe Kushtetuta, të cilën përfaqësuesit e tyre e kanë votuar ‘me zemër te thyer’.

Por këtu nuk na e kanë fajin shumë vetëm të tjerët se edhe ne si shqiptarë nuk kemi ditur t’i çojme punët deri ne fund kur e kemi pasur rastin dhe fuqinë politike. Edhe kjo praktike është si pasojë e tipareve të Psikologjise tone nacionale shqiptare, bazuar në thënien: “mund të ta japi Ligji por të mos ta japi Maliqi, se këtë filozofi fundja e kemi në gjak dhe në traditë. Neve duhet të na vijë në majë të hundës që të reagojmë, se fundja për sabër dhe durim kemi dhe kemi pasur me bollëk, kjo s’mund të kontestohet.

Deri kur, mbetet që ta shohim. Kryesorja është se kësmet do bëhet mirë dikur, si për ne ashtu edhe për gjeneratat që vijnë, se fundja me këtë filozofi dhe psikologji nacionale edhe kemi mbijetuar me shekuj të tërë. Por në kohën e sodit, me këta mend, dhe me këta udhëheqës që kemi, edhe kjo është bërë pakëz si zahmet, përveç me lejen e Zotit!