ANALIZË: Në prag të ribalancit të buxhetit, parashikime të reja fiskale – rritje më e ulët e PBB-së, inflacion më i lartë dhe deficit më i thellë buxhetor
Në prag të ribalancit të paralajmëruar të buxhetit 2026, tashmë është e qartë se rritja ekonomike do të jetë më e ulët se ajo e planifikuar aktualisht në nivel prej 3,8%. Është e sigurt se edhe inflacioni do të jetë dukshëm më i lartë krahasuar me planin aktual. Borxhi publik, i cili në fund të vitit 2025 tejkaloi 10.000.000.000 euro, do të vazhdojë të rritet në vlerë absolute, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Borxhi publik mbi 61%, inflacioni prej 4,5%
Rritja ekonomike për këtë vit dhe vitin e ardhshëm tashmë është “shkrirë” në dokumentet e reja buxhetore, të cilat i paraprijnë ribalancit të buxhetit. Sipas të dhënave nga Strategjia e re Fiskale 2027–2031, rritja e PBB-së për këtë vit është ulur nga 3,8% në 3,5%, ndërsa inflacioni nga 2,5% sa është aktualisht, rritet madje në 4,5%.

Një nga parametrat më alarmues është deficiti i llogarisë rrjedhëse, përkatësisht deficiti tregtar, i cili nga -3,8% sa është aktualisht, rritet në -5%.
Parashikimet e reja fiskale tregojnë rritje të papunësisë në 11% dhe ulje të punësimit në 47%. Sipas informacionit, procedura qeveritare për miratimin e buxhetit të ribalancuar duhet të fillojë këtë javë.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska–Koçoska, tashmë ka konfirmuar se deficiti në arkën shtetërore do të jetë më i thellë se sa ishte planifikuar, por jo më i lartë se ai i vitit të kaluar në nivel prej 4%.
„Mund të ketë disa korrigjime si rezultat i masave në kuadër të akcizave për naftën dhe derivatet e naftës, kështu që mund të ketë disa devijime, por konsolidimi nënkupton se nuk do të kemi deficit buxhetor më të madh se ai i vitit të kaluar. Po punojmë me shumë kujdes për shpenzimet dhe detyrimet po shlyhen në kohë”, njoftoi Dimitrieska–Koçoska.
Deficiti buxhetor dhe borxhi publik…
Sipas ekonomistëve, me këtë është e sigurt se edhe këtë vit nuk do të respektohet kufiri i përcaktuar prej 3% të deficitit buxhetor.
“Krahasimi i strategjive fiskale të njëpasnjëshme zbulon një tendencë sistematike të shtyrjes së objektivave fiskale. Objektivi për deficit nën 3% — i përcaktuar me Ligjin për Buxhetet dhe i harmonizuar me Kriteret e Mastrihtit — po shtyhet për të tretën herë radhazi: tani, nga viti 2027 deri në vitin 2028 (Tabela 1). Çdo shtyrje nuk është një akt teknik neutral — kjo nënkupton më shumë kamata, më pak hapësirë fiskale dhe ekspozim më të madh ndaj rrezikut në rast të goditjeve të reja. Kur përjashtimi bëhet rregull, ai e humb kredibilitetin”, theksojnë ekonomistët nga Finance Think.
Sa i përket borxhit publik, i cili në fund të vitit 2025 tejkaloi 10 miliardë euro, këtë vit do të arrijë 61,5%, dhe niveli mbi 60% do të mbahet deri në fund të vitit 2028, me tendencë rritjeje në vitin 2027.
Sipas ekonomistëve, shqetësues është trendi i rritjes së shpenzimeve për kamatat.
“Dinamika e tyre në Strategjinë Fiskale është shqetësuese: nga 17,8 miliardë denarë në vitin 2024, kamatat rriten në 34,1 miliardë në vitin 2031 — rritje prej 91% për tetë vjet, ose dyfish më shumë se rreth dhjetë vjet më parë (Tabela 3). Në vitin 2025 ato tashmë përbënin 70% të shpenzimeve totale kapitale, ndërsa edhe pse projeksionet për vitin 2031 ofrojnë një pamje më të favorshme (36%), ajo është ndërtuar mbi supozimin për një rritje të trefishtë të investimeve kapitale — një skenar që historikisht nuk është realizuar kurrë” – vlerësojnë nga Finance Think.
Si arsye kryesore për të cilën “shkelet” kufiri i vendosur i borxhit publik prej 60%, nga ministria përmenden detyrimet që maturohen për shlyerje në vitet në vijim, kryesisht në bazë të euro-obligacioneve.

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Ministria e Financave, në fund të tremujorit të parë ekonomik, borxhi publik arrin 10.747.400.000 euro ose 59,9% të PBB-së.