Koalicioni VLEN përmes një kumtese ka prezantuar qëndrimet e tij lidhur me decentralizimin dhe pushtetin lokal, duke premtuar më shumë kompetenca për komunat, decentralizim fiskal dhe rol më të madh të pushtetit lokal në zhvillimin ekonomik dhe arsimin. Ata shtojnë se komunat duhet të kenë “autonomi vendimmarrëse”, më shumë mjete financiare dhe të drejtë për të përcaktuar prioritetet zhvillimore. Si pjesë e këtij vizioni përmendet edhe projekti Tetovë–Prizren, të cilin koalicioni e paraqet si model të bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit rajonal, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, në deklaratë mungojnë detaje konkrete se si do të realizohej ky decentralizim, cilat kompetenca të reja do t’u transferoheshin komunave dhe si do të siguroheshin burimet financiare për zbatimin e reformave të paralajmëruara.
“Për VLEN-in, demokracia fillon aty ku qytetari jeton çdo ditë, në komunë, në lagje, në shkollë, në rrugën që e shfrytëzon dhe në shërbimin që e pret. Prandaj decentralizimi në programin e VLEN-it zë vend parësor. VLEN i jep kuptim të ri decentralizimit. Për ne, kjo nënkupton autonomi vendimmarrëse për komunat, decentralizim fiskal, hapësirë më të madhe për bashkëpunim ndërkufitar, nxitje të zhvillimit ekonomik lokal dhe rol më të fuqishëm të pushtetit lokal në arsimin fillor dhe të mesëm. VLEN angazhohet që komunat të kenë kompetenca të qarta, mjete dhe të drejtë të vendosin për prioritetet e tyre zhvillimore. Kjo nënkupton decentralizim fiskal, zhvillim ekonomik lokal dhe bashkëpunim ndërkufitar me komunat e rajonit. Projekti strategjik Tetovë–Prizren është shembull konkret i këtij vizioni, meqë forcon lidhjen infrastrukturore, ekonomike dhe zhvillimore mes qytetarëve në të dy anët e kufirit”, thonë nga VLEN.
VLEN gjithashtu ka drejtuar kritika ndaj partive të mëparshme shqiptare në pushtet, duke i akuzuar për keqmenaxhim të komunave dhe mungesë zhvillimi lokal.
“Këta që shiten si patriotë asnjëherë nuk e kishin dert decentralizimin. Ishin të zënë me hajni. Prandaj kudo që udhëhoqën lanë pas katrahurë, komuna pa ujë, pa zhvillim dhe pa shërbime normale. Shqiptarët e panë këtë mashtrim dhe i përzunë me votë. Ata janë e kaluar. VLEN, përmes programit politik, hap një kapitull të ri për pushtetin lokal. Kapitull ku komunat nuk shihen si plaçkë, por si institucione me kompetenca vendimmarrëse për t’u shërbyer qytetarëve”, thonë nga kjo parti.
Pavarësisht retorikës politike, decentralizimi mbetet një nga proceset më të diskutuara prej vitesh në Maqedoninë e Veriut, ndërsa komunat vazhdojnë të përballen me probleme financiare, borxhe, mungesë kapacitetesh administrative dhe varësi të madhe nga pushteti qendror.
Raporti i fundit i KE-së ritheksoi se vendi duhet ta përshpejtojë procesin e decentralizimit dhe të miratojë ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, megjithatë për këto nuk ka vullnet. Qeveria arsyetohet dhe topin e hedh te partitë politike ndërsa Ministria e Financave hesht.
Pavarësisht njëfarë progresi, KE-ja thekson se urgjentisht nevojitet reformë gjithëpërfshirëse e vetëqeverisjes lokale.