Studim: Të rinjtë në Ballkanin Perëndimor përballen me mbingarkesë informacioni dhe dezinformim

Një studim i publikuar në qershor 2026 nga British Council tregon se të rinjtë në Ballkanin Perëndimor përballen me një mjedis informativ të mbingarkuar, ku dezinformimi shpesh përhapet përmes rrjeteve sociale, algoritmeve dhe komunikimit online, transmeton Portalb.mk.

Raporti “Next Generation What We Know: Mis/disinformation in the Western Balkans”, i realizuar me të rinj nga gjashtë vende të rajonit, vlerëson se shumica e tyre nuk e verifikojnë gjithmonë informacionin në mënyrë të plotë, por mbështeten në elemente të shpejta si pamja e përmbajtjes, numri i reagimeve apo perceptimi se burimi është zyrtar.

Studimi thekson se verifikimi shihet si proces i vështirë dhe që kërkon kohë, ndaj shumë të rinj zgjedhin ose të kontrollojnë vetëm pjesërisht informacionin, ose t’u besojnë personave të afërt. Në periudha zgjedhjesh, krizash apo debatesh të forta sociale, ekspozimi ndaj dezinformimit rritet edhe më shumë.

Sipas raportit, përballja me këtë fenomen nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi individuale e të rinjve, por kërkon edhe institucione më të forta, media më të besueshme dhe qasje më të koordinuar për të kufizuar ndikimin e dezinformimit në rajon.

 

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.