Kaluan pesë javë ndërsa Bekim Sali nuk e realizoi premtimin për provimin e jurisprudencës në shqip siç u zotua

Ka kaluar më shumë se një muaj kur zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, premtoi se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Pavarësisht këtij premtimi, nuk ka ende zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Kjo çështje jo që nuk u zgjidh brenda një jave, por nuk u zgjidh as pas pesë javëve.

Nga Qeveria përmes një prononcimi për Portalb.mk, vazhdojnë të mbeten në qëndrimin e njëjtë se grupi punues po vazhdon punën dhe është i angazhuar për të kryer detyrat në mënyrën më të duhur.

“Tani jemi edhe në proces të rikonstruimit të qeverisë, presim shumë shpejtë të dalim me rezultate finale”, thonë nga Qeveria.

Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami, në një intervistë për TV Koha, bëri të ditur se në rikonstruimin e ri të Qeverisë, nga përbërja qeveritare do të largohen ministrat të cilët kanë qenë problematik përmes deklaratave dhe VLEN pritet të udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë, në krye të së cilës është Igor Fillkov, i cili vazhdimisht ka refuzuar dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip.

“Parimisht jemi dakorduar të ketë rokadë të ministrive, ku do të largohen disa ministra që kanë dhënë deklarata të pakujdesshme dhe kanë prekur drejtpërdrejt shqiptarët. Pra, VLEN do të marrë Ministrinë e Drejtësisë, e cila është një ministri e rëndësishme, veçanërisht në një kontekst kohor dhe situatë ku kemi provimin e jurisprudencës dhe provime të tjera profesionale”, tha Kasami.

Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare. Kujtojmë se, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. 

Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. 

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e Kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale. Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.