BE do të reagojë nëse Bullgaria përdor protokollin e bllokadës ndaj Maqedonisë, tha ambasadori austriak Martin Pamer

Bullgaria mund të paralajmërohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian nëse përpiqet ta përdorë Protokollin e Dytë ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, të korrikut 2022, si kusht për vazhdimin e rrugës së integrimit evropian të vendit, pasi ai nuk është pjesë e Kornizës Negociuese me BE-në, transmeton Portalb.mk.

Kështu deklaroi ambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pamer, në një intervistë për emisionin “Evropat” në televizionin 24, duke iu referuar për herë të parë qartë kësaj çështjeje, e cila gjatë periudhës së fundit është bërë pengesë në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes dhe ka rezultuar me ngecjen e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë.

Pamer thekson shprehimisht se Protokolli i Dytë nuk është pjesë e Kornizës Negociuese dhe se kjo deri më tani është bërë e qartë nga Brukseli. Në këtë drejtim, ambasadori thotë se nëse Bullgaria përpiqet të ushtrojë presion ose ta përdorë Protokollin në kontekstin e procesit të zgjerimit, atëherë vendet e tjera anëtare do t’i bëjnë të ditur Sofjes se ai nuk është pjesë e procesit të anëtarësimit.

“Me sa di unë, dhe jam mjaft i sigurt se kjo është e saktë, Protokolli i Dytë nuk është pjesë e Kornizës Negociuese. Mendoj se kjo është plotësisht e qartë dhe nëse i dëgjoni me kujdes vendet anëtare të BE-së, Komisionin Evropian dhe diskutimet, do të shihni se askush nuk ka pretenduar ndonjëherë, përveç Bullgarisë në një moment të caktuar, se Protokolli i Dytë është pjesë e procesit të anëtarësimit.

Sa i përket kësaj, supozoj se nëse në një rast të caktuar vendi juaj fqinj (Bullgaria, v.j.) përpiqet të ushtrojë presion ose ta përdorë këtë në kontekstin e procesit të zgjerimit, do të thosha se shumica e vendeve të tjera anëtare do t’ia bëjnë të qartë se Protokolli i Dytë nuk është pjesë e procesit negociues“, deklaroi ambasadori austriak.

Megjithatë, siç shton ai, të dyja palët duhet të bisedojnë për këtë çështje në kuadër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Për këtë arsye, sipas tij, është e rëndësishme që të ketë dialog ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, në mënyrë që të shkëmbejnë mendime dhe perceptime të ndryshme për njëra-tjetrën në një nivel më të gjerë shoqëror, me qëllim që të tejkalohet ajo që, sipas ambasadorit, duket se ende ka mbetur nga e kaluara.

“Kjo, meqë ra fjala, është një proces që gjithsesi është i domosdoshëm“, shtoi ai.

Duke folur në këtë kontekst, ai përmendi përvojën e vendit të tij me fqinjët.

“Austria është një vend relativisht i vogël, me një fqinj të madh, Gjermaninë, pastaj një fqinj tjetër – Republikën Çeke, si dhe Sllovakinë, Hungarinë e të tjera. Të gjithë ne kemi pasur mes vete çështje të caktuara nga e kaluara, por, para së gjithash, nuk e kemi bllokuar njëri-tjetrin. Ka pasur disa përpjekje, si të thuash, për ta bërë këtë, por ato janë refuzuar.

Megjithatë, gjatë procesit vendosëm të punojmë për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe patëm të ashtuquajturat, e di se edhe ju i keni, por ne kishim komisione dypalëshe, të cilat kishin për detyrë të punonin për tekstet e përbashkëta shkollore të historisë, ku dy këndvështrime të ndryshme vendoseshin pranë njëri-tjetrit, edhe kur dallonin. Kështu, u pajtuam se për disa çështje kemi qëndrime të ndryshme, por pranojmë se kemi këndvështrime të ndryshme dhe vazhdojmë përpara”, deklaroi Pamer.

I pyetur nëse Vjena zyrtare do të ofronte sërish ndërmjetësim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe çfarë mund të ofrojë për zhbllokimin e procesit, ambasadori tha se Vjena dhe Austria kanë një traditë të gjatë si vend për dialog dhe, në njëfarë mase, edhe për ndërmjetësim. Megjithatë, për një gjë të tillë nevojitet pëlqimi i të dyja palëve që kanë çështje të hapura, në këtë rast Shkupit dhe Sofjes.

“Nëse keni dy palë që kërkojnë mbështetje dhe ndërmjetësim, duhet të keni pëlqimin e të dyja palëve që një palë e tretë të përfshihet në këtë proces. Për momentin nuk kemi një pasqyrë të qartë se ku po çon kjo, por, për fat të mirë, para së gjithash, dialogu ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, dhe homologes së tij në Bullgari, ministres së Punëve të Jashtme (Velislava Petrova-Çamova, v.j.), po vazhdon. Ata janë takuar dhe besoj se kanë bisedime konstruktive“, tha ambasadori.

Sipas informacioneve të tij, Mucunski dhe Petrova-Çamova kanë emëruar edhe përfaqësues të cilët duhet të vazhdojnë punën për tema të caktuara. Ai shton se i gjithë procesi ka edhe mbështetjen e Komisionit Evropian, i cili po i nxit palët të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë një marrëveshje.

Sa i përket kërkesës së qeverisë aktuale në Shkup që Bashkimi Evropian të përfshihet drejtpërdrejt në bisedime dhe nëse kjo ide është zgjidhje e mirë, Pamer vlerëson se, para së gjithash, janë Maqedonia dhe Bullgaria ato që duhet të arrijnë marrëveshje mes vete.

“Tani, kjo nuk është e lehtë, siç e dimë, dhe ka pasur shumë përpjekje. Thelbin e çështjes e njohim, por ju pyesni nëse Bashkimi Evropian duhet të veprojë si ndërmjetës. Me sa di unë, ata po bisedojnë me Sofjen, me Shkupin dhe me të gjithë aktorët dhe zyrtarët përkatës. Prandaj, të shpresojmë se gjërat do të lëvizin përpara“, u shpreh me optimizëm ambasadori austriak në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.