Alta Banka me mundësi të reja për klientët, LSDM paralajmëroi kallëzime penale

Gjithsej 360 qytetarë nga Prilepi, Ohri dhe Resnja, të cilët nuk kanë karta pagesore të “ALTA Bankës”, sot kanë tërhequr me sukses mjetet nga llogaritë e tyre në filialin e bankës në Manastir, njoftojnë nga Banka Popullore. Pagesa është zhvilluar pa pengesa, me organizim të mirë dhe pa probleme gjatë shërbimit të klientëve, transmeton Portalb.mk.

Veçanërisht me sukses është organizuar edhe transporti i qytetarëve nga të tre qytetet drejt filialit në Manastir dhe anasjelltas, duke ua lehtësuar qasjen në mjetet e tyre. Qytetarët kanë mundur të tërheqin deri në 20.000 denarë, brenda kufirit maksimal të lejuar për një periudhë prej dy javësh.

Nga Banka Popullore informojnë se nga e sot kanë filluar të punojnë edhe sportelet e “ALTA Bankës” në Tetovë dhe Strumicë. Klientët që nuk kanë karta pagesore edhe në këto dy qytete do të mund të tërheqin para të gatshme deri në 20.000 denarë.

Përveç kësaj, nga java e ardhshme do të rritet edhe limiti javor për tërheqjen e parave të gatshme dhe pagesat në pikat e shitjes me kartat pagesore të bankës. Në vend të 10.000 denarëve sa ishte deri më tani, klientët do të mund të disponojnë me një limit prej 15.000 denarësh në javë.

“Që nga sot, sportelet e “ALTA Banka” SHA Manastir janë të hapura në Tetovë dhe Strumicë, përveç sporteleve në Manastir, të cilat funksionojnë që nga 6 nëntori. Në këto sportele, qytetarët që nuk kanë karta pagese mund të tërheqin deri në 20.000 denarë. Pagesa e fondeve në të tre qytetet po zhvillohet pa probleme dhe sipas orarit të përcaktuar. Në degën në Strumicë në fillim të ditës së punës pati një vonesë afatshkurtër për shkak të organizimit logjistik, pas së cilës pagesa vazhdoi sipas dinamikës së planifikuar. Pagesat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që klientët e Bankës të jenë në gjendje të disponojnë me fondet e tyre. Gjithashtu, që nga kjo javë, limiti javor për tërheqje parash dhe pagesa në pikat e shitjes me kartat pagese të Bankës po rritet, nga 10.000 në 15.000 denarë. Banka Popullore po e monitoron vazhdimisht situatën dhe po ndërmerr aktivitete përkatëse, duke i përshtatur masat në përputhje me zhvillimin e situatës. Prioritet mbetet sigurimi i shërbimit të duhur për qytetarët dhe mbrojtja e interesave të klientëve të Bankës”, thonë nga Banka Popullore.

Ndërkohë, LSDM kërkoi që Prokuroria Publike dhe prokurori publik Nenad Saveski t’i hetojnë menjëherë rrethanat e hyrjes së “Alta Bankës” në Maqedoninë e Veriut, kërkoi LSDM-ja, duke paralajmëruar kallëzime penale nëse nuk ndërmerren hapa hetimorë, .

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se në Serbi bankës i është hequr licenca, është hapur procedurë falimentimi, ndërsa pronari i saj, Davor Macura, është arrestuar në kuadër të një hetimi lidhur me 380 milionë euro.

“Në Maqedoni nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria, ndërsa ata që e sollën Alta Bankën në Maqedoni ende po negociojnë edhe për një pronar të ri. Trajko Sllaveski dhe Hristijan Mickoski e sollën Alta Bankën në Maqedoni, një lavanderi parash e Vuçiqit me kapital të dyshimtë“, deklaroi Kuzeska.

Ajo shtoi se ekziston një pranim publik nga Trajko Sllaveski se pas vendimit për Alta Bankën qëndron Hristijan Mickoski, ndonëse Banka Popullore duhet të jetë institucion i pavarur.

“Jo vetëm që i lejoi të blejë një bankë, Mickoski i lejoi Macurës të blejë edhe një kompani sigurimesh. Të gjitha këto fakte, së bashku me pranimin publik të Sllaveskit për ndikimin politik të Mickoskit, kërkojnë veprim nga Prokuroria”, theksoi Kuzeska.

Ajo i bëri thirrje Saveskit të mos presë thirrje nga Mickoski, por të veprojë.

“Kërkojmë që menjëherë të hetohen të gjitha rrethanat e hyrjes së Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut: roli i Mickoskit, veprimet e Sllaveskit, propozimi i Koçoskës, konkluzionet e Qeverisë, prejardhja dhe rrjedha e parave. Të gjithë të përfshirët duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Nëse Prokuroria nuk ndërmerr veprime, LSDM-ja paralajmëron se do të paraqesë kallëzime penale lidhur me Alta Bankën.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.