Ish-zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së u emërua drejtor i QKR-së, Beni Shaqiri u bë këshilltar i Gjorgjievskit

Ish-zëdhënësi i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, Dimçe Arsovski, është drejtori i ri i Qendrës Kulturore për të Rinj (QKR) – Shkup, në vend të drejtorit të deritanishëm, muzikantit Arben Beni Shaqiri, transmeton Portalb.mk.

Shaqiri do të marrë një funksion tjetër, atë të këshilltarit të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

“Të nderuar qytetarë, shfrytëzoj këtë rast t’ju njoftoj se nuk do ta ushtroj më funksionin e drejtorit të QKR-së – Shkup, për çka i kam paraqitur dorëheqje të parevokueshme kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, për arsye personale. Megjithatë, me propozim të kryetarit Gjorgjievski, do të mbetem pjesë e kabinetit të tij, në pozitën e këshilltarit për kulturë, me ç’rast do të përpiqem që nga një aspekt të kontribuoj në avancimin dhe zhvillimin e kulturës në qytetin e Shkupit. Drejtor i ri i QKR-së do të jetë Dimçe Arsovski, të cilit i dëshiroj të jetë i suksesshëm dhe i durueshëm. Besoj se si i ri do të japë maksimumin nga vetja, në mënyrë që të përballet me të gjitha vështirësitë me të cilat kultura në përgjithësi po përballet gjatë viteve të fundit. Vazhdojmë tutje…”, shkroi Shaqiri në Facebook.

Shaqiri kishte ambicie të bëhej drejtor i QKR-së që gjatë mandatit të kryetarit të atëhershëm të Shkupit nga LSDM-ja, Petre Shilegov, i cili e drejtoi Qytetin e Shkupit nga viti 2017 deri në vitin 2021. Gjatë asaj periudhe, në vitin 2019, pati reagime publike nga më shumë se 200 punonjës të kulturës, të cilët kërkonin që ai të mos emërohej në krye të QKR-së.

Shilegov nuk e emëroi drejtor. Dy vjet më vonë, gjatë zgjedhjeve lokale, Shaqiri u përball me Shilegovin në garën për kryetar të Shkupit, si kandidat i koalicionit “Vendosmërisht për ndryshime”, të përbërë nga Partia Liberal-Demokratike (PLD) dhe Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (DOM).

Në zgjedhjet e vitit 2021 fitoi Danella Arsovska, e cila si kandidate e pavarur u mbështet nga VMRO-DPMNE-ja.

Në fillim të vitit 2024, ajo e emëroi Shaqirin drejtor të QKR-së, pasi paraprakisht kishte pasur disa ndryshime në këtë pozitë.