Viktor Velevski: Jemi në kërkim të një mënyre për ta digjitalizuar procesin e akomodimit në konviktet e studentëve

Radhë të gjata, pritje me orë të tëra, dokumente të shumta për të plotësuar. E këtillë ishte pamja edhe këtë vit akademik para konvikteve ku studentët prisnin në radhë për tu akomoduar në një dhomë në konvikt. Vitin e kaluar në muajin maj nga Konvikti Shtetëror i Studentëve – Shkup (KSHS) njoftuan se procesi i akomodimit do të digjitalizohet, që studentët të mos kenë nevojë të vijnë në Shkup vetëm për një ditë vetëm sa për tu akomoduar dhe sa për të plotësuar gjithë ato dokumente gjatë akomodimit.

Në këtë temë, për atë se pse ky premtim nuk funksionoi këtë vit, si dhe çfarë do ofrojë për studentët aplikacioni i ri, në intervistën e dhënë për Meta.mk do na flasë Viktor Velevski, drejtor i KSHS – Shkup.

Procesi i aplikimit dhe i pranimit të studentëve në konviktet shtetërore kalon nëpërmjet anëtarëve të komisionit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). Pse sistemi i akomodimit duhet të jetë në duart e KSHS-së dhe jo i gjithë procesi të kalojë nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës?

Velevski: Është më mirë për arsye praktike. Nëse ne si KSHS do të kishim një komision që do të vendoste për pranimin e studentëve në konvikte, ai proces do të rridhte shumë më shpejt. Për momentin ne presim rezultate nga MASH-i, e kështu na dalin shumë probleme. Na ndodh që dy binjake të jenë të akomoduara në konvikte të ndryshme studentore, e të cilat asnjëherë më parë nuk kanë qenë të ndara si fëmijë. Ne nuk vendosim se kush do pranohet në konvikt, por i akomodojmë studentët në bazë të një liste të përgatitur paraprakisht nga MASH-i. Nëse sistemi nuk mund t’i jepet KSHS-së, atëherë ne do duhet të kemi përfaqësues në atë komision të MASH-it, për t’i shmangur problemet që shfaqen gjatë akomodimit.

Viktor Velevski, drejtor i KSHS - Shkup. Foto: Meta.mk
Viktor Velevski, drejtor i KSHS – Shkup. Foto: Meta.mk

Edhe këtë vit para konvikteve sërish kishte radhë me studentë që prisnin për të marrë dokumentet, për t’i plotësuar ato e pastaj tu caktohej një dhomë në konvikt. Pse nuk ka filluar procesi i digjitalizimit të akomodimit të studentëve?

Velevski: Ne si KSHS apo konviktet e tjera studentore në vend nuk mund të hyjmë në sistemin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nuk kemi qasje në atë sistem. Informaticientët nuk mund t’i menaxhojnë të dhënat të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës ia jep KSHS-së dhe prandaj kemi problem me futjen e këtyre të dhënave. Që nga momenti i publikimit të rezultateve ne menjëherë fillojmë të bëjmë akomodimin, kështu që nuk kemi hapësirë ​​që listat që publikohen online në Excel ose në uebfaqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës t’i fusim pastaj në atë sistem elektronik që të gjithë të mund të qasen në uebfaqe nga shtëpia dhe të përfundojnë akomodimin. Ky është një problem të cilin po e shqyrtojmë bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe po kërkojmë një mënyrë për ta zgjidhur atë, që procesi të mund të digjitalizohet dhe të evitohen radhët e gjata para konvikteve. Për momentin studentët vijnë në Shkup vetëm për t’u akomoduar dhe pastaj kthehen menjëherë në shtëpi sepse tani nuk ka ligjerata. Nëse gjendet një zgjidhje për digjitalizimin e procesit, akomodimi do të kryhet brenda një dite, nga shtëpia, pa pasur nevojë që studentët të bëjnë shpenzime për transport.

Tashmë prej disa kohësh po punohet për një aplikacion studentor, të cilin e punon kompania “Vista”. Çfarë do të ofrojë ai për studentët?

Velevski: Kemi punuar në shumë projekte, i pari ka qenë për kartelën studentore, e cila është plotësisht e digjitalizuar, por askush e dinte se energjia elektrike do të shtrenjtohet për 200 përqind dhe se paratë që ishin ndarë për aparate për reciklim do na duhej t’i shpenzonim për servisimin e gjërave themelore për të gjithë studentët. Megjithatë, po gjejmë mënyra për ta rifilluar këtë projekt, ndërsa aplikacioni është pjesë e të gjithë këtij projekti. Aplikacioni do të mundësojë që çdo student të ketë profilin e tij digjital. Nëpërmjet atij profili ai do të mund të shohë nëse e ka paguar qiranë, nëse ka kaluar pagesa, nëse ka ndonjë borxh ndaj KSHS-së, ndërsa do mund të shohë edhe se sa para ka nga riciklimi, që do të jenë si cashback nga ajo që ai riciklon. Gjithashtu, studentët do të mund të lajmërohen në mensë, e kështu do të dihet nëse do të shfrytëzojnë një vakt. Unë jam gjithmonë pro planifikimit të asaj që e shpenzojmë. Nuk është në rregull që në këto kohë të vështira varfërie ushqimi të hidhet ose të mos përdoret siç duhet. Duke i racionalizuar shpenzimet mund të kemi sukses në menaxhim. Nëse ne si të rinj nuk kemi për qëllim t’i ruajmë burimet që i ka shteti, kjo do të ishte si një pus pa fund.